Home / Lajme / Kosova / Kurti dhe Merz diskutojnë investimet gjermane në energji dhe sektorë të tjerë në Kosovë

Kurti dhe Merz diskutojnë investimet gjermane në energji dhe sektorë të tjerë në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë me kancelarin federal të Gjermanisë, Friedrich Merz, në margjina të Samitit XIII të Procesit të Berlinit, që u mbajt në Mal të Zi. Kurti bëri të ditur se Merz e ka uruar për mandatin e ri, ndërsa ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Gjermanisë.

Kurti e cilësoi Procesin e Berlinit si një nismë të rëndësishme për bashkëpunimin rajonal, të cilën Gjermania e lansoi më 2014 për të krijuar një hapësirë ku gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkëpunojnë dhe të trajtohen në mënyrë të barabartë.

Ai tha se në kuadër të këtij procesi janë nënshkruar marrëveshje për udhëtimin me letërnjoftime dhe njohjen e diplomave, të cilat Kosova i ka zbatuar. Sipas tij, edhe vendet e tjera duhet t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura, pasi asnjëra nuk duhet ta pengojë përparimin e rajonit, përcjell Energy Monitor.

Kryeministri bëri të ditur se investimet e drejtpërdrejta gjermane në Kosovë arrijnë në rreth 1,5 miliardë euro, ndërsa 62 për qind e tyre janë realizuar gjatë pesë viteve të fundit.

Ai vlerësoi se potenciali për bashkëpunim të mëtejshëm mes dy vendeve mbetet i madh, veçanërisht në industri, energji, transport, teknologji të informacionit dhe komunikimit (TIK), si dhe në arsim profesional.

Kurti njoftoi gjithashtu se Prishtina do të mirëpresë javën e ardhshme Forumin e tretë Ekonomik Gjermano-Kosovar, i cili pritet të shërbejë si një mundësi për thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe identifikimin e mundësive të reja për investime.

Në deklaratën e tij, Kurti e cilësoi Gjermaninë si pjesë të së ardhmes evropiane të Kosovës.

Takimi u zhvillua në një kohë kur Gjermania ka konfirmuar vazhdimin e pranisë së trupave të saj në Kosovë në kuadër të misionit të NATO-s, KFOR.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com