Home / Lajme / Rajoni / KESH investon 2.2 milionë euro për rehabilitimin e rrugëve dhe lehtësimin e qasjes në digën e Zadejës

KESH investon 2.2 milionë euro për rehabilitimin e rrugëve dhe lehtësimin e qasjes në digën e Zadejës

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka hapur procedurën e prokurimit për rehabilitimin e rrugëve të aksesit dhe shërbimit në zonën e digës së Zadejës, pjesë e hidrocentralit të Vaut të Dejës. Projekti, me fond limit prej 220.7 milionë lekësh, rreth 2.2 milionë euro, përfshin edhe ndërtimin e rrethimit në biefin e poshtëm të digës.

Sipas dokumentacionit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, ndërhyrja synon të përmirësojë lidhjen e digës me rrugën nacionale Shkodër–Mjedë, si dhe qasjen drejt tunelit të shkarkimit dhe zonës së fshatit Dejë.

KESH ka evidentuar dëmtime të konsiderueshme në infrastrukturën ekzistuese rrugore. Në disa segmente, gjendja e rrugës është përkeqësuar deri në atë masë saqë qarkullimi është bërë pothuajse i pamundur. Probleme janë konstatuar edhe në rrugën që shërben për qasjen drejt tunelit të shkarkimit.

Punimet do të përfshijnë dy segmente kryesore. I pari ndodhet në krahun e djathtë të digës dhe lidh zonën me rrugën nacionale Shkodër–Mjedë, pranë urës së Spatharit. Segmenti i dytë shtrihet në krahun e majtë, nga tuneli i shkarkimit deri në fshatin Dejë.

Projekti parasheh rehabilitimin e rrugëve sipas parametrave të kategorisë F, me karrexhatë me gjerësi prej katër metrash dhe bankina anësore. Njëri prej segmenteve që do t’i nënshtrohet ndërhyrjes ka gjatësi rreth 2.2 kilometra dhe kalon në pjesën e poshtme të digës, ku ndodhet edhe tuneli i shkarkimit emergjent.

Përveç rehabilitimit të rrugëve, KESH planifikon edhe ndërhyrje në rrethimin e biefit të poshtëm, me synim përmirësimin e sigurisë në këtë pjesë të infrastrukturës hidroenergjetike.

Ndërhyrja synon të lehtësojë qasjen për mirëmbajtjen dhe administrimin e hidrocentralit të Vaut të Dejës, si dhe të përmirësojë komunikimin rrugor për komunitetin e zonës. Diga e Zadejës dhe infrastruktura përreth saj janë pjesë e sistemit hidroenergjetik të kaskadës së Drinit, me rëndësi për prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com