Ministrja Fitore Pacolli ka pritur përfaqësues të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), Ambasadës Gjermane, GIZ-it dhe bankës zhvillimore KfW, me të cilët ka diskutuar për investime konkrete në fushën e mjedisit dhe për tranzicionin e gjelbër në Kosovë.
Sipas Pacollit, fokusi i takimit bilateral ishte kalimi nga reformat ligjore te zbatimi i projekteve në terren. Ndër çështjet kryesore ishte zbatimi i projektit për ndërtimin e një deponie moderne të mbeturinave në rajonin e Prishtinës, si dhe reformimi i menaxhimit të mbeturinave përmes sistemeve të përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit (EPR) dhe sistemit të kthimit të depozitës (DRS).
Në takim u diskutua edhe për fuqizimin e kapaciteteve të Kosovës në fushën e klimës dhe përafrimin me kornizat evropiane për monitorimin, raportimin, verifikimin dhe akreditimin (MRVA), përcjell Energy Monitor.
Një tjetër temë ishte përgatitja e bizneseve vendore për Mekanizmin e Rregullimit të Kufirit të Karbonit (CBAM) të Bashkimit Evropian, i cili synon të vendosë një çmim për emetimet e karbonit të përfshira në disa mallra të importuara në BE.
Sipas Pacollit, përgatitja e bizneseve është e rëndësishme për ruajtjen e konkurrueshmërisë së produkteve kosovare në tregun evropian.
Pacolli e cilësoi Gjermaninë si partnerin më të rëndësishëm strategjik të Kosovës në tranzicionin e gjelbër dhe tha se synimi është që politikat mjedisore të shndërrohen në projekte konkrete për një mjedis më të pastër.



