Rënia e prodhimit vendor dhe rritja e importeve të energjisë elektrike rënduan financat e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) gjatë vitit 2025, ndërsa tregtuesit privatë dhe disa prodhues të energjisë regjistruan fitime të konsiderueshme.
Sipas të dhënave të INSTAT-it, prodhimi neto vendas arriti në 7.468 gigavat-orë (GWh), me rënie prej 4.7% krahasuar me vitin 2024. Në të njëjtën kohë, importet u rritën me 26.5%, në 3.375 GWh, duke mbuluar rreth 40% të energjisë në dispozicion, nga 32.7% një vit më parë.
Rënia u ndikua kryesisht nga kushtet e pafavorshme hidrologjike. Hidrocentralet publike prodhuan 3.374 GWh, 17.4% më pak se në vitin 2024, ndërsa prodhimi i hidrocentraleve private dhe koncesionare ra me 4.2%, në 3.109 GWh.
KESH-i me humbje prej 13.7 miliardë lekësh
KESH raportoi të ardhura prej 28.2 miliardë lekësh, por humbjet arritën në 13.7 miliardë lekë, krahasuar me 380 milionë lekë në vitin 2024.
Një nga arsyet kryesore është kostoja e sigurimit të energjisë për furnizimin universal. Gjatë vitit 2025, KESH bleu rreth 1.81 milionë MWh në tregun e lirë, me çmim mesatar prej 127.55 eurosh/MWh. Fatura totale, përfshirë TVSH-në, tejkaloi 270 milionë euro.
Në të kundërt, OSHEE Group raportoi të ardhura prej 73 miliardë lekësh dhe fitime prej 7.1 miliardë lekësh. Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) regjistroi të ardhura prej 10.3 miliardë lekësh dhe fitim neto prej rreth 1.4 deri në 1.7 miliardë lekësh.
Tregtuesit privatë përfitojnë nga importet
Rritja e importeve krijoi më shumë mundësi për tregtuesit privatë të energjisë.
“NOA Energy Trade” realizoi të ardhura prej 27 miliardë lekësh dhe fitime para taksave prej 1.4 miliardë lekësh. “Ener Trade” raportoi qarkullim prej 19.5 miliardë lekësh, 70% më shumë se në vitin 2024, dhe fitime prej rreth 1.2 miliardë lekësh.
Ndërkohë, “GEN-I Tirana” arriti të ardhura prej 10.4 miliardë lekësh, ndërsa “Prima Energy” raportoi fitime para taksave prej 429 milionë lekësh. “Protergia Energy Albania”, në vitin e parë të plotë të aktivitetit, regjistroi të ardhura prej 4 miliardë lekësh dhe fitime prej 372 milionë lekësh.
Hidrocentralet dhe energjia solare zgjerojnë kapacitetet
Kapaciteti i instaluar i prodhimit të energjisë në Shqipëri arriti në 3.475 megavatë në vitin 2025, me rritje prej 262 MW. Nga kapaciteti i përgjithshëm, 1.563 MW i përkasin KESH-it, ndërsa pjesa tjetër prodhuesve të tjerë publikë dhe privatë.
“Devolli Hydropower”, pjesë e grupit Statkraft, raportoi të ardhura prej 9.6 miliardë lekësh dhe fitime para taksave prej 3 miliardë lekësh. Kompania, që operon hidrocentralet e Banjës dhe Moglicës me kapacitet të kombinuar prej rreth 269 MW, prodhoi 442.233 MWh gjatë vitit.
Në sektorin solar, kapaciteti i ri i instaluar arriti në 181.98 MW, ndërsa prodhimi fotovoltaik u rrit në 832.3 GWh, rreth 11% e prodhimit vendor.
Megjithatë, rezultatet financiare të investitorëve ndryshuan. “Karavasta Solar”, në pronësi të kompanisë franceze “Voltalia”, raportoi të ardhura prej 1.66 miliardë lekësh, por humbje prej 54 milionë lekësh. Në anën tjetër, “SPV Blue 1” regjistroi të ardhura prej 1 miliard lekësh dhe fitime prej 317 milionë lekësh.
Zgjerimi i burimeve solare po e bën gjithnjë e më të rëndësishëm magazinimin e energjisë, balancimin dhe përforcimin e rrjetit. Përqendrimi i prodhimit gjatë orëve me diell dhe luhatjet e çmimeve në treg mbeten sfida për leverdishmërinë e investimeve të reja.



