Në Bullgari është inauguruar zyrtarisht një park diellor me kapacitet 161 MW, i shoqëruar me një sistem të integruar të ruajtjes së energjisë me bateri (BESS), duke shënuar një tjetër hap në zgjerimin e projekteve hibride të energjisë në rajon.
Projekti është zhvilluar nga kompanitë Solars Energy dhe 360 Energy, ndërsa përfshin edhe një sistem baterish me kapacitet 36 MW / 72 MWh, i cili do të shërbejë për stabilizimin e prodhimit dhe menaxhimin e balancimit në rrjet, ka njoftuar Balkan Green Energy News.
Parku fotovoltaik prej 161 MWp pritet të rrisë ndjeshëm kapacitetet e prodhimit të energjisë së pastër në Bullgari, një nga tregjet më aktive në Evropën Juglindore për investime në diell dhe sisteme të ruajtjes së energjisë.
Sistemi i baterive është dizajnuar për të ruajtur tepricat e energjisë së prodhuar gjatë orëve me rrezatim të lartë dhe për t’i shpërndarë ato në periudhat e kërkesës së lartë, duke rritur fleksibilitetin e rrjetit elektrik, përcjell Energy Monitor.
Projekti konsiderohet pjesë e trendit në rritje të integrimit të energjisë diellore me teknologjitë e ruajtjes (BESS), që po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm në tranzicionin energjetik të Evropës.



