Projekti Tuçep–Veriq prej 142 MW në Istog ka vlerë totale 87.5 milionë euro dhe pritet të reduktojë rreth 185 mijë tonë emetime CO₂ në vit.
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po shqyrton miratimin e një kredie prej 42.5 milionë euro për ndërtimin e dy centraleve solare në komunën e Istogut, të cilat pritet të formojnë portofolin më të madh fotovoltaik në Kosovë, sipas dokumenteve të projektit.
Projekti përfshin dy njësi gjeneruese, Tuçep dhe Veriq, me kapacitet të kombinuar prej 142 MWp dhe një investim total prej 87.5 milionë euro. Sipas të dhënave të publikuara nga BERZH, bëhet fjalë për një nga projektet më të mëdha të energjisë diellore të zhvilluara nga sektori privat në vend.
Energy Monitor raporton se projekti është në mesin e investimeve që po ndihmojnë rritjen e shpejtë të portofolit të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë, në një kohë kur sistemi energjetik vazhdon të mbështetet kryesisht në linjit, përcjell Energy Monitor.
BERZH vlerëson se zhvillimi i këtyre kapaciteteve do të kontribuojë në diversifikimin e përzierjes energjetike dhe në uljen e varësisë nga burimet fosile, duke përshpejtuar tranzicionin energjetik në vend.
Sipas të dhënave të projektit, impianti pritet të reduktojë rreth 185 mijë tonë emetime të CO₂ në vit, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në uljen e emetimeve dhe arritjen e objektivave klimatike.
Struktura e projektit përbëhet nga Quant Renewables me 52 për qind të aksioneve dhe Green for Growth Fund (GGF) me 48 për qind. Të dyja entitetet janë aktive në investime të energjisë së ripërtëritshme dhe eficiencës energjetike në rajon dhe më gjerë.
Energy Monitor gjithashtu ka raportuar se projekti do të mbështetet nga instrumentet e garancisë të Bashkimit Evropian përmes programit EFSD+ Hi-Bar, që synon të lehtësojë financimin e projekteve strategjike në energjinë e pastër.
Aktualisht projekti po pret vlerësimin final, ndërsa vendimi përfundimtar nga Bordi i BERZH pritet të merret më 22 korrik 2026. Në rast miratimi, Tuçep–Veriq do të bëhet projekti më i madh diellor i planifikuar deri më tani në Kosovë.
BERZH është tashmë aktiv në financimin e projekteve të mëdha të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë. Një nga financimet më të rëndësishme kanë të bëjnë me projektet e erës në Bajgorë me kapacitet të përgjithshem prej 105 MW në rajonin e Mitrovicës, të zhvilluara nga SOWI Kosovo.
Këto projekte, të financuara pjesërisht nga BERZH me rreth 58 milionë euro, përfaqësojnë një nga investimet më të mëdha dhe më të rënësishme në sektorin e energjisë në vend dhe një hap të rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë.



