Home / Highlights / 30 kompani në Kosovë përfitojnë 536 mijë euro grante për energji të pastër

30 kompani në Kosovë përfitojnë 536 mijë euro grante për energji të pastër

Tridhjetë kompani në Kosovë janë rekomanduar për mbështetje financiare prej rreth 536 mijë eurosh në kuadër të fazës së dytë të Skemës së Granteve për Energji të Pastër. Për herë të parë, krahas instalimit të paneleve solare dhe masave të efiçiencës së energjisë në ndërtesa, skema përfshin edhe blerjen e pajisjeve efiçiente për linjat e prodhimit në industri.

Rezultatet e thirrjes së dytë janë prezantuar në një ngjarje të përbashkët të Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) dhe organizatës LuxDev.

Me përzgjedhjen e 30 kompanive në fazën e dytë, numri i bizneseve të rekomanduara për mbështetje në kuadër të dy thirrjeve arrin në 39, ndërsa vlera e përgjithshme e granteve shkon në rreth 656 mijë euro, pa përfshirë bashkëfinancimin e siguruar nga vetë kompanitë, përcjell Energy Monitor.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka theksuar se investimet e bizneseve në prodhimin e energjisë së ripërtëritshme dhe teknologjitë efiçiente ndikojnë jo vetëm në uljen e kostove të tyre, por edhe në sigurinë energjetike të vendit.

“Çdo panel në kulmin e një biznesi apo të një fabrike do të thotë më pak energji e importuar, më pak presion mbi rrjetin në orët e pikut dhe më shumë siguri energjetike për vendin. Bizneset tona nuk janë më vetëm konsumatorë të energjisë, ato po bëhen pjesëmarrëse aktive në sistemin e energjisë”, ka thënë Rizvanolli.

Konsumatorët komercialë dhe industrialë përbëjnë më shumë se një të tretën e konsumit të përgjithshëm të energjisë elektrike në Kosovë. Për këtë arsye, investimet e tyre në burime të ripërtëritshme dhe në pajisje me konsum më të ulët të energjisë konsiderohen të rëndësishme për uljen e kërkesës, veçanërisht gjatë orëve të pikut.

Skema e granteve është prezantuar në shtator të vitit 2025, me një buxhet fillestar prej një milion eurosh nga Qeveria e Luksemburgut.

Në thirrjen e parë të skemës ishin pranuar 91 aplikime, ndërsa nëntë kompani përfituan grante në vlerë prej rreth 120 mijë eurosh për instalimin e sistemeve solare fotovoltaike. Pesë nga këto investime tashmë janë përfunduar, ndërsa të tjerat janë në fazën e zbatimit dhe monitorimit.

Gjatë muajve të zbatimit të programit, Ministria e Ekonomisë, KIESA dhe LuxDev kanë organizuar edhe sesione informuese për bizneset, duke prezantuar mundësitë e financimit dhe kriteret e aplikimit.

Në fazën e dytë, mbështetja është zgjeruar edhe në teknologjitë e prodhimit. Gjashtë kompani nga sektorët e përpunimit të drurit, përpunimit të ushqimit, ndërtimit dhe prodhimit të betonit janë rekomanduar për investime në pajisje efiçiente për linjat e tyre të prodhimit, raporton Energy Monitor.

Në përgjithësi, skema përfshin tri kategori investimesh: instalimin e sistemeve solare fotovoltaike, përmirësimin e efiçiencës së energjisë në ndërtesat e bizneseve dhe pajisjet efiçiente për proceset e prodhimit.

Ministria e Ekonomisë vlerëson se këto investime do t’i ndihmojnë kompanitë të ulin konsumin dhe shpenzimet operative, të rrisin konkurrueshmërinë dhe të përgatiten më mirë për funksionimin në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike.

Përmbajtja e skemës dhe kushtet e përfitimit për bizneset janë trajtuar edhe në një udhëzues të publikuar gjatë fazës së parë.

Skema zbatohet me mbështetjen e Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut, përmes LuxDev-it, në bashkëpunim me institucionet e Kosovës.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com