Energjia diellore prodhoi më shumë energji elektrike sesa qymyri në Shtetet e Bashkuara gjatë muajit maj 2026, duke shënuar një moment historik për tranzicionin energjetik të vendit. Sipas një analize të organizatës ndërkombëtare Ember, energjia diellore përbënte 12.8% të prodhimit total të energjisë elektrike në SHBA gjatë muajit maj, ndërsa qymyri 12.2%.
Prodhimi nga centralet diellore arriti në 45.5 teravat-orë (TWh), niveli më i lartë mujor i regjistruar ndonjëherë në SHBA dhe 17% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në të njëjtën kohë, prodhimi nga qymyri ra në 43.4 TWh, ose 11% më pak se në maj 2025, ka njoftuar scantv.al.
Me këtë rezultat, energjia diellore u rendit si burimi i tretë më i madh i energjisë elektrike në SHBA, pas gazit natyror dhe energjisë bërthamore.
Zhvillimi vjen në një kohë kur kapacitetet e reja diellore vazhdojnë të rriten me ritme të larta. Sipas një raporti të publikuar nga Shoqata e Industrive të Energjisë Diellore dhe kompania analitike Wood Mackenzie, gjatë tremujorit të parë të vitit 2026 në SHBA u instaluan 7.8 gigavat kapacitete të reja diellore, ndërsa numri total i instalimeve tejkaloi 6 milionë, transmeton Energy Monitor.
Raporti tregon se energjia diellore dhe sistemet e magazinimit me bateri përbënin 91% të të gjitha kapaciteteve të reja të prodhimit të energjisë të vendosura në funksion gjatë tremujorit të parë të vitit.
Kërkesa për energji diellore po mbështetet gjithashtu nga zgjerimi i qendrave të të dhënave dhe investimet në inteligjencën artificiale. Sipas Shoqatës së Industrive të Energjisë Diellore, kontratat për projekte të mëdha diellore u rritën me 15% në baza vjetore.
Megjithëse administrata e Presidentit Donald Trump ka ndërmarrë hapa për të mbështetur industrinë e qymyrit, duke premtuar rreth 700 milionë dollarë mbështetje financiare, të dhënat tregojnë se energjia diellore po vazhdon të fitojë terren në tregun amerikan të energjisë.
Megjithatë, gazi natyror mbetet burimi dominues i prodhimit të energjisë elektrike në SHBA, me një pjesëmarrje prej 37% në prodhimin total gjatë muajit maj.



