Kompania Sunrise Europe, me seli në Kotor, ka siguruar lejen e ndërtimit për parkun fotovoltaik Dubrovsko, me kapacitet prej 220 MW, si dhe një sistem të ruajtjes së energjisë me bateri prej 400 MWh në komunën e Shavnikut në Mal të Zi.
Projekti është ndër investimet më të mëdha të planifikuara në sektorin solar të vendit dhe një tjetër dëshmi e kalimit të tregut energjetik të Ballkanit drejt centraleve hibride, që kombinojnë prodhimin diellor me magazinimin e energjisë, përcjell Energy Monitor.
Parku do të shtrihet në një sipërfaqe prej 274.8 hektarësh, në zonat kadastrale Dubrovsko dhe Duzhi. Sipas dokumentacionit teknik, instalimi do të përfshijë 297.800 module fotovoltaike me fuqi individuale prej 700 Wp, 596 inverterë dhe 30 stacione transformuese. Sistemi i baterive do të ketë kapacitet prej 400 MWh, i ndarë në 20 njësi nga 20 MWh, ndërsa projekti parasheh edhe ndërtimin e një nënstacioni elektrik 33/110 kV për lidhjen me rrjetin.
Leja e ndërtimit është lëshuar më 29 tetor nga Ministria e Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Pronës Shtetërore e Malit të Zi. Investitori duhet t’i nisë punimet brenda dy vjetësh dhe ta përfundojë ndërtimin brenda pesë vjetësh, përkatësisht deri në vitin 2031. Nëse ndërtimi nuk fillon brenda afatit dyvjeçar, kompania rrezikon humbjen e lejes, përcjell Energy Monitor.
Projekti vjen në një kohë kur sistemet e baterive po bëhen pjesë gjithnjë e më e rëndësishme e investimeve energjetike në rajon. Në Maqedoninë e Veriut janë miratuar dhjetëra projekte që arrijnë në 2.2 GW fuqi dhe 4.9 GWh kapacitet magazinimi.
Në Shqipëri po përgatitet një ankand i ri për 300 MW kapacitete fotovoltaike, të shoqëruara me sisteme të ruajtjes së energjisë me bateri, me mbështetjen e BERZH-it.
Ndërkohë, në Kroaci ka hyrë në funksion një sistem i pavarur baterish prej 60 MW dhe 120 MWh në Shibenik, i cili shërben për balancimin e rrjetit të transmetimit.
Sunrise Europe kishte siguruar kushtet urbanistike dhe teknike për projektin në janar të vitit 2023, ndërsa Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit e Malit të Zi kishte dhënë pëlqimin për vlerësimin e ndikimit në mjedis në korrik të vitit 2024.
Dubrovsko është projekti i tretë i energjisë ripërtëritshme që merr leje ndërtimi në Mal të Zi që nga korriku, pas parkut solar 50 MW të kompanisë franceze Qair në Nikshiq dhe parkut me erë Korita, me kapacitet prej 88 MW, në Bijelo Polje.



