Home / Lajme / Mjedisi / Protestat kundër Rio Tinto rikthehen në Serbi: banorët mbrojnë tokën dhe ujin

Protestat kundër Rio Tinto rikthehen në Serbi: banorët mbrojnë tokën dhe ujin

Protestat kundër projektit të kompanisë Rio Tinto për nxjerrjen e lithium-it në Serbi janë rikthyer në tre qytete – Loznicë, Valjevë dhe Shabac.

Banorët dhe aktivistët po paralajmërojnë se do të bllokojnë çdo tentativë për fillimin e punimeve, duke e konsideruar projektin kërcënim për ambientin dhe jetën e tyre.

Qeveria serbe kishte anuluar projektin në vitin 2022 pas protestave masive, por së fundmi procesi është rihapur, duke shkaktuar reagim të menjëhershëm nga shoqëria civile.

Aktivistët pretendojnë se mungon transparenca dhe se rrezikohet ndotja e ujërave nëntokësore dhe degradimi i tokës bujqësore në zonën e Jadarit, ku planifikohet ndërtimi i minierës.

Banorët kërkojnë që projekti të ndalet përfundimisht, duke theksuar se interesi ekonomik nuk duhet të vihet mbi shëndetin publik dhe mbrojtjen e mjedisit. Protestat pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.