Një analizë e re e Institutit Atlas, e publikuar nga Agron Demi, nxjerr në pah problemet serioze me temperaturën dhe cilësinë e ajrit në shkollat e Kosovës. Të dhënat tregojnë se shumë nxënës zhvillojnë mësimin në ambiente me temperatura nën standardet minimale dhe me nivele të larta të dioksidit të karbonit (CO₂), duke ndikuar në përqendrimin dhe shëndetin e tyre.
Sipas Demit, një rast konkret është shkolla “Avni Rrustemi” në fshatin Mramor të Prishtinës, ku nxënësit e klasës së parë gjatë muajit dhjetor kanë ndjekur mësimin në klasa me temperaturë mesatare prej vetëm 13.1°C. Kjo është dukshëm nën standardet e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), e cila përcakton 18°C si temperaturën minimale të pranueshme në ambiente mësimore.
Analiza e Institutit Atlas është bazuar në të dhënat e mbledhura nga 200 sensorë të vendosur në 198 klasa të tetë shkollave të Prishtinës, në kuadër të projektit “Prishtina Smart City”. Nga 88.214 matje të regjistruara, rezulton se në më shumë se gjysmën e ditëve të monitoruara gjatë sezonit të ftohtë, temperaturat në klasa kanë qenë nën nivelin minimal të rekomanduar.
Në dhjetë klasat me temperaturat më të ulëta, vlerat kanë rënë rregullisht nën 7°C, ndërsa gjashtë prej tyre ndodheshin në shkollën “Avni Rrustemi”, e cila ngrohet me dru.
Përveç temperaturave të ulëta, raporti evidenton edhe probleme me cilësinë e ajrit brenda klasave. Gjatë sezonit të ngrohjes, në shkollat me performancën më të dobët, nivelet e CO₂ kanë kaluar kufirin prej 1.000 ppm në rreth një të tretën e ditëve mësimore. Në disa klasa, përqendrimi ka arritur rreth 1.500 ppm, nivel që lidhet me ulje të përqendrimit, lodhje dhe dhimbje koke.


Sipas Demit, problemi krijon një situatë të vështirë për shkollat: ndotja e lartë e ajrit jashtë i dekurajon ato nga hapja e dritareve për ventilim, ndërsa mbajtja e tyre të mbyllura çon në grumbullimin e CO₂ brenda klasave.
“Ftohti dhe cilësia e dobët e ajrit formojnë një kurth që prek drejtpërdrejt fëmijët”, shkruan Demi, duke theksuar se nxënësit përballen me ekspozim të dyfishtë: fillimisht gjatë rrugës për në shkollë dhe më pas në ambiente të mbyllura me ventilim të pamjaftueshëm.
Analiza vëren gjithashtu se Kosova vazhdon të ketë nivele të larta të ekspozimit ndaj grimcave të imëta PM2.5. Sipas të dhënave të cituara nga Instituti Atlas, rreth 99% e fëmijëve në Kosovë ekspozohen rregullisht ndaj përqendrimeve të PM2.5 mbi nivelet e rekomanduara nga OBSH.
Shkollat ende varen nga sistemet joefikase të ngrohjes
Problemet lidhen edhe me mënyrën se si ngrohen objektet shkollore. Sipas të dhënave të mbledhura nga Instituti Atlas, qymyri, i cili përdorej në rreth 600 shkolla në vitin 2016, tashmë nuk është identifikuar më si burim ngrohjeje në shkollat e analizuara.
Megjithatë, zëvendësimi është bërë kryesisht me dru zjarri, i cili vazhdon të prodhojë emetime të grimcave të imëta PM2.5.
Në vitin 2025, sipas të dhënave të raportit, 31 shkolla përdornin sisteme të kombinuara naftë–pelet, 12 vetëm naftë, ndërsa 12 vazhdonin të ngroheshin me dru.
Shembulli i Ferizajt tregon përmasën e problemit. Shkollat e kësaj komune kanë konsumuar rreth 5.000 metra kub dru zjarri gjatë vitit 2024, duke shkaktuar rreth 9.000 tonë emetime CO₂ dhe 24.5 tonë grimca PM2.5 gjatë një sezoni ngrohjeje.
Investimet në efiçiencë energjetike mbeten të pamjaftueshme
Demi thekson se shumë objekte shkollore në Kosovë nuk janë ndërtuar sipas standardeve moderne të efiçiencës energjetike. Izolimi i dobët, sistemet e vjetruara të ngrohjes dhe mungesa e ventilimit adekuat vazhdojnë të krijojnë kushte jo të përshtatshme për nxënësit.
Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë ka rinovuar deri tani mbi 100 ndërtesa publike, ku në disa shkolla kursimet e energjisë kanë arritur nga 50 deri në 93 për qind. Megjithatë, ritmi i investimeve mbetet i ulët krahasuar me nevojat.
Sipas raportit, në Kosovë janë rreth 2.300 ndërtesa publike që kanë nevojë për renovim energjetik, ndërsa ndërhyrjet deri tani kanë mbuluar më pak se 4% të tyre.

Një program prej 86 milionë eurosh i mbështetur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim pritet të zgjerojë renovimet në deri 400 ndërtesa publike, por edhe pas këtij projekti pjesa më e madhe e objekteve do të mbetet pa përmirësime energjetike.
Sipas Agron Demit, zgjidhja kërkon krijimin e standardeve të detyrueshme për temperaturën dhe cilësinë e ajrit në shkolla, monitorim të vazhdueshëm përmes sensorëve dhe investime më të mëdha në izolim, ngrohje eficiente dhe sisteme ventilimi.
“Të dhënat në kohë reale për nivelet e CO₂ dhe temperaturën në klasa duhet të jenë të qasshme publikisht për prindërit, studiuesit dhe politikëbërësit”, shkruan Demi.
Sipas tij, përmirësimi i kushteve fizike në shkolla nuk është vetëm çështje komoditeti, por një parakusht për një proces më të mirë të mësimnxënies dhe shëndetin e fëmijëve.



