Home / Lajme / Kosova / Katër punëtorë të KEK-ut humbën jetën këtë vit, sindikata kërkon veprime para tragjedisë së radhës

Katër punëtorë të KEK-ut humbën jetën këtë vit, sindikata kërkon veprime para tragjedisë së radhës

Pas aksidentit të fundit fatal në KEK, Sindikata e Re e KEK-ut ka reaguar duke kërkuar që institucionet përgjegjëse të kalojnë nga reagimi pas tragjedive te parandalimi i aksidenteve në vendin e punës. Sipas sindikatës, vetëm gjatë vitit 2026 kanë humbur jetën katër punëtorë të KEK-ut: Mixhen Sadiku, Milazim Binaku, Haxhi Gojnovci dhe Arbenit Ahmeti. 

Sindikata thotë se pas çdo rasti tragjik pasojnë reagime nga menaxhmenti, Bordi, ministria dhe institucionet e tjera, me ngushëllime, premtime për masa dhe kërkesa për sqarimin e rasteve. Megjithatë, sipas saj, problemi qëndron në mungesën e një sistemi që i identifikon dhe eliminon rreziqet para se ato të shkaktojnë humbje jete. 

“Pse këto institucione reagojnë vetëm pasi ndodh tragjedia?”, pyet sindikata, duke argumentuar se shpesh pritet të ndodhë aksidenti, pas së cilit bëhen deklarata dhe ndërmerren masa, ndërsa vëmendja ndaj sigurisë bie deri në rastin e ardhshëm, përcjell Energy Monitor.

Sipas Sindikatës së Re të KEK-ut, çështja nuk është vetëm e sigurisë teknike, por lidhet edhe me menaxhimin dhe kulturën e punës në Korporatë. Sindikata kritikon një qasje që, sipas saj, mbështetet më shumë në presion, frikë dhe masa ndëshkuese sesa në komunikim, motivim dhe respekt ndaj punëtorëve. 

Sindikata kërkon që punëtorët që punojnë në kushte të rrezikshme të kenë mundësi të raportojnë rreziqet pa u frikësuar nga pasojat. “Punëtori duhet të dëgjohet para se të ndodhë aksidenti, jo vetëm të kujtohet pasi të ndodhë tragjedia”, thuhet në reagim. 

Sipas saj, menaxhmenti i KEK-ut, Bordi, ministria dhe strukturat e tjera përgjegjëse duhet të kalojnë nga reagimi pas ngjarjes te parandalimi para ngjarjes. Katër jetë të humbura brenda një viti, thekson sindikata, duhet të shërbejnë si alarm serioz për ndryshimin e mënyrës së menaxhimit të sigurisë dhe të punëtorëve.

“Nuk duam më reagime pas tragjedive. Duam veprime para se të humbet jeta e radhës”, përfundon Sindikata e Re e KEK-ut.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com