Në një opinion të publikuar në Buletini Ekonomik, eksperti i ekonomisë Agron Demi ka kritikuar zhvillimin e sektorit të energjisë në Kosovë gjatë dy dekadave të fundit, duke argumentuar se vendi ka hartuar më shumë strategji sesa ka arritur të realizojë projekte konkrete energjetike.
Sipas Demit, që nga viti 2003 Kosova ka miratuar pesë strategji të mëdha energjetike dhe një plan kombëtar për energji dhe klimë, të cilat kanë parashikuar rritje të prodhimit, ulje të humbjeve, zhvillim të burimeve të ripërtëritshme dhe integrim më të madh rajonal. Megjithatë, ai thekson se shumica e objektivave kanë mbetur të parealizuara, përcjell Energy Monitor.
Në analizën e tij, Demi shkruan se Kosova vazhdon të mbështetet kryesisht në dy termocentrale të vjetra me linjit, Kosova A dhe Kosova B, ndërsa projekti për një termocentral të ri, “Kosova e Re”, ka kaluar nëpër disa rishikime dhe reduktime derisa është braktisur.
Sipas tij, kjo pasqyron një model të përsëritur ku strategjitë energjetike janë përmirësuar në letër, por pa ndryshime thelbësore në infrastrukturë apo në strukturën e prodhimit të energjisë.
Demi kritikon edhe objektivat për burime të ripërtëritshme, duke thënë se ato shpesh kanë mbetur në nivel deklarativ, pa mekanizma të mjaftueshëm zbatimi. Ai thekson se mungesa e kapaciteteve institucionale dhe procedurat e ngadalta kanë ndikuar në realizimin e ulët të këtyre objektivave, njofton Energy Monitor.
Në opinionin e tij, ai vë në pah edhe sfidën e humbjeve të larta në sistemin energjetik, duke theksuar se përmirësimet në këtë drejtim janë arritur gradualisht, por ende mbeten larg standardeve evropiane.
Si një nga arritjet kryesore, Demi përmend ndërtimin e linjës 400 kV me Shqipërinë dhe krijimin e tregut të përbashkët të energjisë ALPEX, të cilat sipas tij kanë përmirësuar lidhjen dhe tregtimin rajonal të energjisë.
Në përfundim, Demi argumenton se sfida kryesore e sektorit energjetik në Kosovë mbetet hendeku mes planifikimit strategjik dhe zbatimit në praktikë, duke theksuar se shumë prej strategjive kanë prodhuar vizion, por jo rezultate konkrete.



