E ngarkuara me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, ka përsëritur thirrjen që Kosova të diversifikojë furnizimin me energji përmes gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA-ja, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për forcimin e sigurisë energjetike dhe tërheqjen e investimeve amerikane.
Prattipati i bëri këto komente gjatë ceremonisë së ndarjes së Çmimit të Partneritetit SHBA–Kosovë, ku u vlerësuan anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë për kontributin e tyre në zhvillimin e marrëdhënieve tregtare ndërmjet dy vendeve.
Sipas njoftimit të Ambasadës së SHBA-së, diplomatja amerikane mirëpriti edhe vendimin e Kosovës për heqjen e tarifave doganore për mallrat amerikane.
Në fjalën e saj, ajo theksoi nevojën që Kosova të diversifikojë burimet e furnizimit me energji përmes LNG-së amerikane, me qëllim krijimin e kushteve për investime të reja amerikane në vend.
Kjo është hera e dytë brenda pak javësh që Prattipati adreson publikisht këtë çështje. Në fillim të muajit qershor, përmes një editoriali, ajo u bëri thirrje institucioneve të Kosovës t’u bashkohen projekteve rajonale të gazit natyror të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara.
Sipas saj, Kosova mund të përfitojë nga projektet rajonale të infrastrukturës së gazit, përfshirë Korridorin Vertikal të Gazit, terminalin e gazit natyror të lëngshëm në Kroaci dhe gazsjellësin që do të lidhë terminalin LNG në Aleksandrupolis të Greqisë me Shkupin në Maqedoninë e Veriut.
Prattipati ka paralajmëruar se vonesat në marrjen e një vendimi mund ta lënë Kosovën si vendin e vetëm në Ballkanin Perëndimor pa qasje në gazin natyror të lëngshëm amerikan.



