Në një intervistë në emisionin EURO në T7 me gazetarin Menduh Abazi, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka folur për një seri zhvillimesh në sektorin e energjisë.
Ajo u ndal te investimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), projektet e reja në fushën e energjisë së ripërtëritshme dhe proceset e modernizimit të kapaciteteve ekzistuese të prodhimit.
Po ashtu, ajo trajtoi çështjen e interkoneksioneve me Serbinë, si dhe alternativat e furnizimit me gaz dhe energji përmes MCC-së dhe projektit në Vlorë, transmeton Energy Monitor.
Në intervistë, Rizvanolli u ndal edhe në tema të tjera që lidhen me sektorin e energjisë dhe zhvillimet më të gjera në politikën energjetike të vendit.
Bllokimet në interkoneksione dhe ndikimi në sigurinë e furnizimit
Ajo tha se mungesa e zbatimit të vendimeve për hapjen e interkoneksioneve me Serbinë po krijon pasoja në sistemin energjetik të Kosovës, duke ndikuar në kostot e transmetimit dhe sigurinë e furnizimit.
Sipas saj, Kosova po e përdor presidencën në Komunitetin e Energjisë për ta mbajtur këtë çështje në fokus ndërkombëtar.
Investime në KEK dhe modernizim i kapaciteteve ekzistuese
Rizvanolli tha se në KEK po zhvillohet një cikël investimesh që nuk janë parë për dekada, duke përfshirë modernizimin e njësive prodhuese, përmirësimin e infrastrukturës ndihmëse dhe projekte që lidhen me uljen e ndotjes.
MCC dhe projekti i baterive: nga vonesat tek tenderimi ndërkombëtar
Ajo tha se projekti i MCC për ruajtjen e energjisë me bateri ka nisur procesin e zbatimit para dy vitesh dhe ka kaluar nëpër një seri kushtesh dhe reformash të kërkuara nga vetë MCC, njofton Energy Monitor.
Sipas saj, aktualisht projekti është në fazën e prokurimit, ku janë të parakualifikuara rreth 5–6 kompani amerikane, dhe pritet dorëzimi i ofertave financiare në muajt në vijim.
Gazsjellësi Shkup–Prishtinë: kosto, financim dhe parakushtet teknike
Duke folur për projektin e gazsjellësit Shkup–Prishtinë, ajo tha se pjesa më e madhe e financimit – rreth 83 milionë dollarë – ishte paraparë të mbulohej nga Kosova përmes një kredie me BERZH, ndërsa MCC do të mbështeste vetëm segmente të caktuara të rrjetit të shpërndarjes.
Ajo shtoi se një nga parakushtet teknike për projektin ka qenë mbyllja e Kosovës A dhe ndërtimi i një termocentrali me gaz rreth 250 MW, gjë që nuk është konsideruar e mundshme, përcjell Energy Monitor.
Sipas saj, edhe pas investimeve në termocentralet ekzistuese, kostoja mbetet rreth 39 euro/MWh, ndërsa alternativat me gaz janë dukshëm më të shtrenjta në tregjet aktuale evropiane.
Vlora dhe LNG: alternativa me Shqipërinë për furnizim pa gazsjellës
Rizvanolli tha se projekti për LNG në Vlorë, i nënshkruar përmes memorandumit me Shqipërinë në vitin 2021, mbetet një alternativë e rëndësishme në diskutimet aktuale.
Sipas saj, modeli parashikon importimin e LNG në Vlorë, prodhimin e energjisë elektrike atje dhe furnizimin e Kosovës përmes linjave ekzistuese të transmetimit, pa investime të reja në infrastrukturë.



