Numri i qytetarëve dhe bizneseve në Shqipëri që prodhojnë energji elektrike përmes paneleve fotovoltaike ka arritur në rreth 3,500, duke reflektuar rritjen e vazhdueshme të interesit për vetëprodhimin dhe energjinë e ripërtëritshme.
Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) tha se zgjerimi i numrit të vetëprodhuesve tregon zhvillimin e tregut të energjisë së pastër, ndërsa theksoi se një nga sfidat kryesore mbetet garantimi i një shërbimi më cilësor dhe më transparent për konsumatorët.
Në funksion të këtij objektivi, ERE po punon për dixhitalizimin e shërbimeve. Brenda vitit 2026 pritet të vihet në funksion një platformë online, përmes së cilës qytetarët dhe bizneset do të mund të paraqesin dhe të ndjekin në kohë reale ankesat lidhur me shërbimet e energjisë elektrike.
Sipas ERE-së, platforma synon të shkurtojë kohën e trajtimit të ankesave, të rrisë transparencën dhe të përmirësojë komunikimin ndërmjet operatorëve dhe konsumatorëve.
Rregullatori thekson se zgjerimi i vetëprodhimit nga sistemet fotovoltaike do të shoqërohet me monitorim më të fortë të tregut dhe masa për mbrojtjen e konsumatorëve, ndërsa investimet në energjinë e ripërtëritshme mbeten një nga shtyllat kryesore të tranzicionit energjetik në Shqipëri.



