Përparimi i Kosovës drejt integrimit në tregun e brendshëm të energjisë elektrike të Bashkimit Evropian dhe zbatimi i reformave të tranzicionit të gjelbër, të mbështetura me 25 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së, ishin në fokus të takimit ndërmjet Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel, dhe drejtorit të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Artur Lorkowski.
Sipas njoftimit të BE-së, në takim u diskutua puna legjislative që po zhvillohet në Kosovë për avancimin e integrimit në tregun e përbashkët evropian të energjisë elektrike, si dhe zbatimi i katër reformave të tranzicionit të gjelbër në kuadër të Planit të Rritjes.
Për këto reforma janë paraparë 25 milionë euro, ndërsa afati i zbatimit është dhjetori i vitit 2026.
Schuebel tha se Bashkimi Evropian do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë, veçanërisht në lidhje me objektivat për vitin 2030.
“BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në përmbushjen e detyrimeve të saj që rrjedhin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë, përfshirë arritjen e objektivave për vitin 2030 për rritjen e përdorimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, efiçiencën e energjisë dhe dekarbonizimin”, tha Schuebel, përcjell Energy Monitor.
Schuebel theksoi se mbështetja evropiane synon ta ndihmojë Kosovën në përmbushjen e objektivave për vitin 2030, të cilat përfshijnë rritjen e pjesëmarrjes së burimeve të ripërtëritshme në konsumin e energjisë, përmirësimin e efiçiencës dhe uljen e emetimeve të karbonit.
Takimi zhvillohet në një periudhë kur Kosova po përballet me vonesa në përafrimin e legjislacionit energjetik me atë të BE-së. Në Raportin e Progresit të publikuar në nëntor, Komisioni Evropian kishte evidentuar vonesa në miratimin e legjislacionit për energjinë dhe energjinë elektrike, si dhe në zbatimin e reformave për burimet e ripërtëritshme.
Integrimi i tregut të energjisë elektrike me BE-në është gjithashtu pjesë e procesit më të gjerë të integrimit rajonal, ku synohet harmonizimi i rregullave dhe lehtësimi i tregtisë ndërkufitare të energjisë.



