Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale e Maqedonisë së Veriut, Sanja Bozhinovska, ka deklaruar se Ligji i ri për përdorimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme shënon një ndryshim të rëndësishëm në politikën energjetike të vendit, me synimin për të rritur prodhimin vendor të energjisë dhe për të ulur varësinë nga importet.
Në një opinion të publikuar të premten, Bozhinovska thekson se reforma krijon një kornizë të qartë dhe të harmonizuar me legjislacionin evropian, duke synuar të përshpejtojë investimet në energjinë e ripërtëritshme, të thjeshtojë procedurat administrative dhe të rrisë sigurinë energjetike.
“Zgjodhëm një të ardhme energjetike me më pak import, më pak pritje, më pak labirinte administrative dhe më shumë energji të pastër të prodhuar në vend”, shkruan ministrja.
Sipas saj, ligji i ri trajton për herë të parë në mënyrë të veçantë zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme, duke përfshirë objektivat kombëtare, skemat e mbështetjes, garancitë e origjinës së energjisë, komunitetet energjetike, vetëprodhimin, si dhe përdorimin e energjisë së ripërtëritshme në ngrohje, ftohje dhe transport, përcjell Energy Monitor.
Një nga risitë kryesore, sipas Bozhinovskës, është forcimi i rolit të konsumatorëve. Përmes mekanizmave të matjes neto (net metering) dhe llogaritjes neto (net billing), familjet dhe bizneset do të kenë mundësi të prodhojnë energji elektrike nga panelet diellore për nevojat e tyre dhe të menaxhojnë energjinë e tepërt të prodhuar.
Ministrja vlerëson se kjo e shndërron qytetarin nga një konsumator pasiv në një pjesëmarrës aktiv në tregun e energjisë, ndërsa tranzicioni energjetik afrohet më shumë me komunitetet lokale.
Ajo nënvizon gjithashtu rëndësinë e komuniteteve energjetike, duke theksuar se komunat, shkollat, institucionet publike, bizneset dhe qytetarët do të mund të bashkëpunojnë për të prodhuar, magazinuar dhe shitur energji elektrike, duke ulur kostot dhe duke rritur pavarësinë energjetike.
Në aspektin e investimeve, ligji parashikon mekanizma të rinj mbështetës, përfshirë tarifat preferenciale, premiumet mbi çmimin e tregut dhe kontratat dypalëshe për diferencë (Two-way Contracts for Difference – CfD), të cilat synojnë të krijojnë më shumë siguri për investitorët dhe një përdorim më efikas të fondeve publike.
Bozhinovska thekson se legjislacioni i ri përfshin edhe garancitë e origjinës për energjinë elektrike dhe gazin, duke e lidhur tranzicionin e gjelbër me konkurrueshmërinë ekonomike dhe kërkesat e tregut evropian.
Një tjetër element i rëndësishëm është përshpejtimi i zhvillimit të projekteve të energjisë së ripërtëritshme, duke ruajtur njëkohësisht mbrojtjen e biodiversitetit dhe zonave të ndjeshme mjedisore. Ligji, sipas saj, rregullon gjithashtu funksionimin e Këshillit për Tranzicion të Drejtë, i cili do të mbështesë kalimin gradual nga lëndët djegëse fosile drejt energjisë së pastër, transmeton Energy Monitor.
Sipas ministres, Ministria e Energjetikës do të shërbejë si pikë e vetme kontakti për investitorët dhe qytetarët, duke ofruar informacione, udhëzues dhe mbështetje për zhvillimin e projekteve të energjisë së ripërtëritshme.
Bozhinovska thekson se ligji transpozon në legjislacionin kombëtar direktivat më të fundit të Bashkimit Evropian për energjinë e ripërtëritshme, si dhe mbështet zbatimin e Marrëveshjes së Parisit dhe objektivave të Planit të Integruar Kombëtar për Energjinë dhe Klimën.
“Nuk kalojmë më nga një krizë në tjetrën, por ndërtojmë një sistem që planifikon, prodhon dhe krijon. Kalojmë nga importi drejt prodhimit vendor, nga konsumatori pasiv te qytetari-prodhues. Kjo është rruga drejt një sistemi energjetik më të pastër, më konkurrues dhe më të qëndrueshëm”, përfundon ministrja.



