Punimet për ndërtimin e interkonektorit të gazit natyror ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë po përparojnë me ritëm të përshpejtuar, ka bërë të ditur ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska.
Sipas saj, projekti nuk është më vetëm një plan strategjik, por një infrastrukturë që po merr formë në terren, me synim përfundimin gjatë vitit të ardhshëm.
Bozhinovska ka bërë të ditur se deri tani janë përfunduar rreth 95 për qind e procedurave të shpronësimit, është pastruar 85 për qind e trasesë, ndërsa të gjitha tubacionet për projektin janë prodhuar. Në terren tashmë janë vendosur mbi 6.3 kilometra tubacione dhe janë kryer më shumë se 800 saldime.
“Ky është ndërtim i sigurisë energjetike, mundësi të reja për ekonominë dhe një e ardhme më e sigurt për Maqedoninë”, ka deklaruar ministrja, përcjell Energy Monitor.
Interkonektori me Greqinë konsiderohet një projekt kyç për diversifikimin e furnizimit me gaz natyror të Maqedonisë së Veriut, duke krijuar një pikë të re hyrëse për gazin dhe duke mundësuar qasje në burime të ndryshme furnizimi.
Përmes lidhjes me infrastrukturën energjetike greke, përfshirë edhe mundësinë e qasjes në terminalin e gazit të lëngshëm (LNG) në Aleksandrupolis, projekti synon të forcojë integrimin e Maqedonisë së Veriut në rrjetet rajonale dhe evropiane të gazit.
Sipas Bozhinovskës, interkonektori do të kontribuojë në rritjen e pavarësisë energjetike të vendit, uljen e varësisë nga një burim i vetëm furnizimi dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin ekonomik dhe investimet.
Projekti i interkonektorit Maqedoni e Veriut–Greqi është pjesë e përpjekjeve rajonale për krijimin e një tregu më të integruar të gazit në Ballkanin Perëndimor dhe për forcimin e sigurisë energjetike në Evropën Juglindore.



