Home / Lajme / Mjedisi / Alarm për ndotje nga deponia rajonale në Sferkë të Pejës, kërkohet reagim institucional

Alarm për ndotje nga deponia rajonale në Sferkë të Pejës, kërkohet reagim institucional

Pamje shqetësuese nga deponia rajonale e mbeturinave në fshatin Sferkë të Pejës kanë nxitur reagime për rrezikun e mundshëm mjedisor dhe shëndetësor që mund të shkaktohet nga tymi dhe djegia e mbetjeve.

Ish-deputeti Arben Gashi ka ngritur shqetësime për gjendjen në këtë deponi, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse për shuarjen e zjarrit, sanimin e situatës dhe vlerësimin e ndikimit të mundshëm në ajër, ujë dhe tokë.

“Ky nuk është më vetëm një problem lokal – është një urgjencë kombëtare”, ka shkruar Gashi, duke theksuar se tymi që del nga deponia paraqet shqetësim për banorët e zonës dhe kërkon trajtim të menjëhershëm institucional, përcjell Energy Monitor.

Sipas tij, ekspozimi ndaj ndotjes nga djegia e mbetjeve mund të paraqesë rrezik për shëndetin publik, ndërsa institucionet duhet të ndërmarrin masa për të hetuar ndikimet në mjedis dhe në komunitetin përreth.

Deponitë rajonale të mbeturinave mbeten një nga sfidat kryesore mjedisore në Kosovë, veçanërisht për shkak të menaxhimit të mbetjeve, zjarreve të përsëritura dhe mungesës së zgjidhjeve afatgjata për trajtimin dhe riciklimin e mbeturinave.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com