KOSTT ka njoftuar se po vazhdon modernizimi i infrastrukturës elektroenergjetike në Nënstacionin Prishtina 6, ku, në bashkëpunim me KEDS-in, po realizohet kalimi i rrjetit nga niveli i tensionit 10 kV në 20 kV.
Sipas KOSTT-it, ky investim synon të rrisë sigurinë dhe besueshmërinë e furnizimit me energji elektrike, të përmirësojë performancën e rrjetit dhe të krijojë kapacitete shtesë për të përballuar kërkesën në rritje për energji.
Operatori thekson se kalimi në nivelin e tensionit 20 kV do të ndikojë edhe në uljen e humbjeve teknike në rrjetin e shpërndarjes dhe të transmetimit, duke rritur efikasitetin e përgjithshëm të sistemit elektroenergjetik, përcjell Energy Monitor.
KOSTT ka ritheksuar se mbetet i përkushtuar në avancimin e infrastrukturës së transmetimit, me qëllim garantimin e një furnizimi të sigurt, të besueshëm dhe efikas me energji elektrike në Kosovë.



