Home / Lajme / Kosova / ESCorp plotëson Bordin e Drejtorëve, emërohen dy anëtaret e reja të ndërmarrjes për ruajtjen e energjisë

ESCorp plotëson Bordin e Drejtorëve, emërohen dy anëtaret e reja të ndërmarrjes për ruajtjen e energjisë

Struktura drejtuese e Energy Storage Corporation – ESCorp, ndërmarrjes së re publike të themeluar për zhvillimin e kapaciteteve të ruajtjes së energjisë elektrike në Kosovë, po konsolidohet me emërimin e anëtarëve të rinj të Bordit të Drejtorëve.

Pas themelimit të ESCorp dhe emërimit të Bujar Haxhës si kryesues i Bordit, si dhe Fisnik Musait si anëtar i Bordit, janë bërë të ditura edhe dy emërime të tjera në organin drejtues të ndërmarrjes, njofton Energy Monitor.

Sipas njoftimeve të publikuara nga MCA Kosovo, pjesë e Bordit të Drejtorëve të ESCorp janë emëruar edhe Mimoza Byqmeti, me profil juridik, dhe Violeta Arifi Krasniqi, eksperte në administrim biznesi dhe financa.

Me këto emërime, ESCorp po kompleton ekipin drejtues institucional të ndërmarrjes, e cila pritet të ketë rol të rëndësishëm në zhvillimin e infrastrukturës së ruajtjes së energjisë dhe në mbështetjen e tranzicionit energjetik të Kosovës.

Mimoza Byqmeti – ekspertizë në çështje juridike dhe qeverisje korporative

Mimoza Byqmeti është emëruar anëtare e Bordit të Drejtorëve të ESCorp me përvojë të gjatë në fushën juridike, rregullative dhe të qeverisjes korporative.

Ajo ka mbi 15 vite përvojë profesionale në sektorin juridik, si në institucione publike ashtu edhe në sektorin privat. Gjatë karrierës së saj ka punuar për më shumë se një dekadë në Agjencinë Kosovare të Pronës, si dhe ka ofruar shërbime të konsulencës juridike, përcjell Energy Monitor.

Byqmeti ka kontribuar gjithashtu në KOSTT J.S.C. në fusha që lidhen me çështjet ligjore, pajtueshmërinë rregullative dhe qeverisjen korporative, duke sjellë përvojë të rëndësishme për funksionimin institucional të një ndërmarrjeje energjetike.

Ajo mban titullin Master në Qeverisje Korporative dhe Përgjegjësi Shoqërore të Korporatave nga London Metropolitan University dhe është avokate e licencuar që nga viti 2015.

Violeta Arifi Krasniqi – përvojë në financa dhe menaxhim institucional

Anëtare tjetër e Bordit të ESCorp është Violeta Arifi Krasniqi, e cila sjell përvojë të gjerë në fushat e financave, sigurimeve dhe qeverisjes institucionale.

Ajo ka rreth 25 vite përvojë profesionale dhe ka mbajtur pozita të ndryshme drejtuese dhe mbikëqyrëse në sektorin publik dhe financiar.

Gjatë karrierës së saj ka shërbyer si anëtare e Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, anëtare e pavarur joekzekutive e Bordit në BPB Bank, si dhe drejtoreshë menaxhuese e Fondit të Sigurimit të Depozitave të Kosovës, njofton Energy Monitor.

Ajo ka përfaqësuar Kosovën në Shoqatën Ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave (IADI) me seli në Basel të Zvicrës.

Arifi Krasniqi ka përfunduar studimet Master në Administrim Biznesi (MBA) në Universitetin e Greenwich.

ESCorp, një shtyllë e re për fleksibilitetin e sistemit energjetik

Themelimi i ESCorp është pjesë e përpjekjeve të Kosovës për zhvillimin e kapaciteteve të ruajtjes së energjisë elektrike, të cilat konsiderohen të domosdoshme për integrimin më të madh të burimeve të ripërtëritshme në sistemin elektroenergjetik.

Kapacitetet e baterive për ruajtjen e energjisë pritet të ndihmojnë në balancimin e sistemit, rritjen e fleksibilitetit të rrjetit dhe përmirësimin e sigurisë së furnizimit, veçanërisht në një kohë kur Kosova synon zgjerimin e kapaciteteve nga energjia diellore dhe ajo e erës.

Me kompletimin e Bordit të Drejtorëve, ESCorp hyn në një fazë të re të organizimit institucional, përpara zhvillimit të aktiviteteve dhe projekteve të saj në sektorin energjetik të Kosovës.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com