Home / Lajme / Kosova / Nga Kramoviku te Zatriqi: Kurti prezanton projektet e aktuale energjetike të Kosovës

Nga Kramoviku te Zatriqi: Kurti prezanton projektet e aktuale energjetike të Kosovës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar punimet për ndërtimin e parkut solar me kapacitet prej 105 MW në Kramovik të Rahovecit, duke e cilësuar këtë projekt si pjesë të përpjekjeve për rritjen e prodhimit vendor të energjisë elektrike.

Gjatë vizitës, Kurti ka theksuar se projekti vjen pas ankandit konkurrues të organizuar nga Ministria e Ekonomisë, ku çmimi i përzgjedhur ishte 48.88 euro/MWh. Sipas tij, çmimi u përcaktua përmes konkurrencës ndërmjet pesë ofertuesve, në një proces me transparencë dhe kushte të barabarta.

Projekti në Kramovik udhëhiqet nga konsorciumi i drejtuar nga Orllati Group, kompani e zhvilluar në Zvicër, e cila sipas Kurtit po sjell në Kosovë përvojën, kapitalin dhe standardet e punës të krijuara jashtë vendit, transmeton Energy Monitor.

“Përtej rritjes së prodhimit vendor, ky projekt ka një domethënie të veçantë edhe për raportin tonë me mërgatën”, ka deklaruar Kurti.

Projekte të reja nga dielli dhe era

Në komunikimin e tij, kryeministri ka përmendur edhe disa projekte të tjera energjetike që janë në zhvillim ose përgatitje.

Sipas tij, ankandi i radhës për energjinë nga era, me kapacitet deri në 100 MW, ka hyrë në fazën përfundimtare para dorëzimit të ofertave. Në këtë proces, janë parakualifikuar tre ofertues nga Franca, Gjermania e Kosova, dhe Turqia, përcjell Energy Monitor.

Kurti ka përmendur gjithashtu parkun e erës në Zatriq me kapacitet prej 70 MW, i cili sipas tij është afër përfundimit.

Ndërkohë, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), me mbështetjen e Bankës Zhvillimore Gjermane (KfW), ka tenderuar projektin për një park solar me kapacitet prej 100 MW.

Siguria energjetike dhe investimet në sistem

Në deklarimin e tij, Kurti ka lidhur zhvillimin e kapaciteteve të reja energjetike me rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike.

Ai ka përmendur si prioritete rritjen e prodhimit vendor, modernizimin e kapaciteteve ekzistuese me thëngjill, kogjenerimin për ngrohje, zhvillimin e kapaciteteve të reja nga dielli dhe era, bateritë për ruajtjen e energjisë, efiçiencën energjetike dhe integrimin më të madh me tregjet rajonale.

“Siguria e furnizimit po ngritet me më shumë prodhim vendor, modernizim të kapaciteteve ekzistuese me thëngjill, kogjenerim për ngrohje, kapacitete të reja të diellit e të erës, rrjet më të fuqishëm, bateri, efiçiencë energjetike dhe treg të integruar me Shqipërinë dhe Evropën”, ka shkruar Kurti.

Ai ka përmendur gjithashtu mundësinë e përdorimit të gazit natyror të lëngëzuar (LNG) nga SHBA-ja përmes bashkëpunimit me Shqipërinë në kuadër të projektit të Termocentralit të Vlorës.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com