Prodhimi bruto i energjisë elektrike nga hidrocentralet në Kosovë është rritur ndjeshëm në maj të vitit 2026, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraprak, ndërsa prodhimi nga termocentralet me bazë thëngjilli ka shënuar rënie.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), prodhimi bruto i energjisë elektrike nga hidrocentralet në maj 2026 arriti në 49.22 GWh, duke shënuar rritje prej 51.38% krahasuar me majin e vitit 2025.
Në të njëjtën periudhë, prodhimi i energjisë elektrike nga termocentralet me linjit ka rënë për 45.40%, ndërsa prodhimi nga burimet e tjera të ripërtëritshme, përfshirë energjinë e erës dhe atë diellore, është rritur për 8.25%, përcjell Energy Monitor.
Sipas ASK-së, energjia elektrike bruto në dispozicion në maj 2026 ishte 484.02 GWh, ose 0.41% më e ulët krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak.

“Energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 484.02 GWh ose (-0.41%) më e vogël krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak, kurse konsumi i energjisë elektrike ishte 398.66 GWh ose 8.88% më i madh krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak”, thuhet në njoftimin e ASK-së.
Konsumi më i lartë i energjisë elektrike është shoqëruar edhe me rritje të importit. Në maj 2026, importi i energjisë elektrike arriti në 422.31 GWh, duke shënuar rritje prej 41.29% krahasuar me majin e vitit 2025.
Ndërkohë, eksporti i energjisë elektrike në të njëjtën periudhë ishte 205.27 GWh, ku përfshihet edhe sasia e transmisionit, duke shënuar rënie prej 1.58% krahasuar me një vit më parë.
ASK bën të ditur gjithashtu se pjesëmarrja e energjisë elektrike nga burimet alternative në kuadër të konsumit të përgjithshëm në maj 2026 ishte 22.20%, përcjell Energy Monitor.
Në sektorin e lëndëve të para energjetike, prodhimi i thëngjillit në maj 2026 ishte rreth 301,303 tonë, duke shënuar rënie prej 37.25% krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak.
Të dhënat tregojnë një ndryshim në strukturën mujore të prodhimit energjetik, me rritje të kontributit nga hidrocentralet dhe burimet e tjera të ripërtëritshme, ndërsa prodhimi nga kapacitetet me linjit ka pasur rënie krahasuar me majin e vitit 2025.



