Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar rritjen e kapaciteteve të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, me synimin për të forcuar mbrojtjen e konsumatorëve dhe mbikëqyrjen e tregut.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se numri i inspektorëve do të rritet nga 25 në 43 duke filluar nga muaji gusht, ndërsa objektivi është që deri në fund të vitit të arrijë në 100 inspektorë.
Ajo tha se zgjerimi i kapaciteteve synon të garantojë mbrojtje më efektive të qytetarëve nga manipulimet, mashtrimet dhe shkeljet në treg, përcjell Energy Monitor.
Sipas Kusari-Lilës, gjatë muajve të fundit Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka intensifikuar aktivitetin, duke zhvilluar inspektime në sektorin e derivateve të naftës, kontrollin e njehsorëve elektrikë, verifikimin e etiketimit të produkteve ushqimore, si dhe aksione ndaj operatorëve të kriptovalutave dhe këmbimoreve që veprojnë pa licencë. Po ashtu janë zhvilluar kontrolle për parandalimin e shitjes së cigareve elektronike te të miturit dhe inspektime të përbashkëta me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore, Prokurorinë e Shtetit, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe institucione të tjera.
Ajo shtoi se inspektimet do të vazhdojnë çdo ditë, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe zbatimin e legjislacionit në fuqi.




