Home / Lajme / Tjera / Tranzicioni energjetik dhe rrjetet inteligjente në fokus të konferencës së UBT-së

Tranzicioni energjetik dhe rrjetet inteligjente në fokus të konferencës së UBT-së

Tranzicioni energjetik, efiçienca e energjisë dhe zhvillimi i rrjeteve inteligjente ishin ndër temat kryesore të punimeve shkencore të prezantuara në konferencën ndërkombëtare të UBT-së, ku studiuesit trajtuan sfidat dhe mundësitë e sektorit energjetik në Kosovë dhe më gjerë.

Në sesionin e parë, të udhëhequr nga Armend Ymeri dhe Agron Bislimi, u prezantuan punime mbi reduktimin e emetimeve në industrinë e çimentos përmes përdorimit të lëndëve djegëse alternative, ndikimin e zhvillimit të energjisë fotovoltaike në emetimet e CO₂ në Kosovë dhe funksionimin e mikro-rrjeteve që kombinojnë panelet solare me sistemet e ruajtjes së energjisë me bateri.

Një pjesë e punimeve trajtoi edhe menaxhimin optimal të energjisë në ndërtesa dhe planifikimin rajonal sipas parimeve të nomenklaturës territoriale të Bashkimit Evropian (NUTS). Ndër to ishte një studim për optimizimin e konsumit të energjisë në objektin e shkollës profesionale “Fehmi Agani” në Klinë, përmes modelimit matematikor dhe analizës së ndjeshmërisë.

Sesioni i dytë, i mbajtur në kampusin e UBT-së në Lipjan, u përqendrua në sistemet inteligjente energjetike, sfidat e tranzicionit energjetik dhe perspektivën e furnizimit të plotë me energji nga burimet e ripërtëritshme. Punimet trajtuan përdorimin e inteligjencës artificiale për optimizimin e rrjetit, qëndrueshmërinë e sistemeve energjetike dhe çështjet etike në inxhinieri, përcjell Energy Monitor.

Studiuesit shqyrtuan gjithashtu mundësitë e përdorimit të teknologjive të rrjeteve inteligjente për optimizimin e konsumit të energjisë në sistemin elektroenergjetik të Kosovës. Një tjetër punim trajtoi sfidat dhe mundësitë për kalimin drejt furnizimit 100 për qind nga burimet e ripërtëritshme dhe zhvillimin paralel të rrjetit inteligjent.

Në kuadër të konferencës u diskutua edhe funksionimi i tregjeve të energjisë elektrike në vendet kryesore evropiane, duke ofruar një perspektivë më të gjerë për zhvillimet dhe modelet e tregut në Evropë.

Punimet e prezantuara theksuan rolin e inovacionit teknologjik, menaxhimit efikas të energjisë dhe digjitalizimit të rrjeteve në përshpejtimin e tranzicionit energjetik. Për Kosovën, këto fusha kanë rëndësi në rritjen e integrimit të burimeve të ripërtëritshme, përmirësimin e sigurisë së furnizimit dhe reduktimin e emetimeve.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com