Home / Lajme / Rajoni / Maqedoni e Veriut: Nga 1 gushti do të rriten faturat e ngrohjes me 5.9 përqind

Maqedoni e Veriut: Nga 1 gushti do të rriten faturat e ngrohjes me 5.9 përqind

Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) në Maqedoninë e Veriut ka miratuar një vendim me të cilin, duke filluar nga 1 gushti, çmimi i energjisë termike për amvisëritë që furnizohen përmes EMV Furnizimi, EMV Distribuim dhe EMV Prodhimi i Energjisë Termike do të rritet mesatarisht me 5,96 përqind.

Sipas vendimit, fatura mesatare mujore do të rritet për rreth 140 denarë, nga 2.353 denarë sa është aktualisht në 2.493 denarë.

Për konsumatorët që furnizohen përmes ish-Ngrohtorja Shkup Veri, tani Energy Ecolink, rritja do të jetë mesatarisht 3,6 përqind, ndërsa për përdoruesit e EMV Energetika, çmimi do të jetë më i lartë për rreth 5 përqind.

Sipas kryetarit të KRRE-së, Aco Ristov, vendimi është marrë pas analizave të hollësishme ekonomike dhe teknike të funksionimit të kompanive energjetike që ofrojnë energji termike në Shkup.

Ai rikujtoi se kërkesat fillestare të kompanive kanë qenë dukshëm më të larta, duke u lëvizur nga 30 deri në 130 përqind, por pas analizave është vendosur që çmimi të korrigjohet me 5,96 përqind.

Ristov tha se analizat e KRRE-së tregojnë se banorët e Shkupit që ngrohen me energji termike vazhdojnë të paguajnë tarifën më të ulët vjetore krahasuar me përdoruesit në Beograd, Lubjanë, Sofje dhe Sarajevë.

Ndërkohë, sistemi i energjisë termike po shënon edhe rritje të numrit të konsumatorëve. Gjatë një sezoni ngrohjeje janë lidhur 1.521 konsumatorë të rinj, duke e çuar numrin e përgjithshëm të amvisërive që furnizohen me energji termike në 67.494.

Kujtojmë se në mars të vitit të kaluar, çmimi për konsumatorët e energjisë termike për EMV Energetika (5,17 përqind) dhe Shkup Veri – Energy Eko Link (5,25 përqind) u rrit për rreth 5 përqind.

/Portalb.mk

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com