Home / Lajme / Rajoni / Maqedonia e Veriut rrit të ardhurat nga koncesionet minerare, ministrja i kundërpërgjigjet opozitarëve

Maqedonia e Veriut rrit të ardhurat nga koncesionet minerare, ministrja i kundërpërgjigjet opozitarëve

Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale e Maqedonisë së Veriut, Sanja Bozhinovska, ka paraqitur para Kuvendit rezultatet e punës së ministrisë, duke iu përgjigjur akuzave për menaxhimin e sektorit energjetik, çmimin e energjisë elektrike dhe shfrytëzimin e burimeve minerale.

Gjatë fjalimit në kuadër të interpelancës për punën e saj, Bozhinovska kërkoi që përgjegjësia të vlerësohet në bazë të kompetencave ligjore, dokumenteve dhe vendimeve konkrete. Ajo u bëri thirrje deputetëve të mos e miratojnë interpelancën, duke theksuar se kontrolli parlamentar është pjesë e funksionimit demokratik dhe mundësi për t’u dhënë qytetarëve përgjigje për politikat dhe rezultatet e arritura.

„E respektoj të drejtën tuaj për të kërkuar përgjegjësinë time. Do t’ju kërkoj edhe juve të merrni përgjegjësi për saktësinë e pretendimeve mbi të cilat e kërkoni atë”, u shpreh ministrja.

Bozhinovska: Përgjegjësia përcaktohet me ligj

Duke iu përgjigjur kritikave, ajo bëri dallimin mes kompetencave të ministrisë, qeverisë, kompanisë shtetërore të energjisë ESM, operatorit të transmetimit MEPSO dhe Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE). Sipas saj, ministria është përgjegjëse për politikat energjetike, planifikimin, sigurinë e furnizimit, burimet e ripërtëritshme, efiçiencën e energjisë dhe sektorin minerar, por nuk i menaxhon prokurimet operative, kontratat tregtare dhe prodhimin e ESM-së.

Sa i përket tarifave të energjisë elektrike, Bozhinovska theksoi se KRRE-ja është institucion i pavarur dhe se ministria nuk mund t’i diktojë vendimet për çmimet.

Ajo kundërshtoi gjithashtu kritikat lidhur me përzgjedhjen e furnizuesit universal të energjisë elektrike, duke iu referuar kronologjisë së procedurës. Vendimi për nisjen e saj ishte marrë më 17 tetor 2023, komisioni ishte formuar më 7 nëntor të po atij viti, ndërsa ankandi dhe përfundimet qeveritare për përzgjedhjen datojnë nga prilli 2024. Ministria e Energjetikës u themelua në qershor 2024.

„Si mund të ma atribuoni organizimin e një procedure që nisi dhe përfundoi para se të ekzistonte fare ministria?”, pyeti ajo, duke shtuar se nuk e kishte drejtuar komisionin dhe as nuk kishte qenë ministre kur ai mori vendimin.

Lidhur me pretendimet për privatizimin e ESM-së, Bozhinovska tha se ministria nuk ka marrë asnjë vendim për shitjen e kompanisë dhe kërkoi që akuzat të mbështeten me dokumente dhe procedura konkrete.

Ministria paraqet planet për energjinë dhe infrastrukturën

Duke folur për çmimin e energjisë elektrike, ajo mbrojti politikën e furnizimit të amvisërive me energji të përballueshme dhe bëri dallimin mes kostos së prodhimit, çmimit të shitjes së energjisë dhe tarifës së rregulluar. Sipas të dhënave që paraqiti, kostoja e prodhimit të ESM-së është ulur nga më shumë se 130 euro në rreth 100 euro për megavat-orë.

Ndër rezultatet kryesore, ministrja veçoi Ligjin e ri për Energjetikën, duke thënë se gjatë procedurës parlamentare u pranuan 64 nga 74 amendamentet e paraqitura, pas konsultimeve publike dhe harmonizimit me Komunitetin e Energjisë. Ligji rregullon, ndër të tjera, magazinimin e energjisë, komunitetet energjetike dhe pjesëmarrjen e konsumatorëve, si dhe synon të krijojë rregulla më të qarta për investitorët.

Ajo përmendi edhe Planin Kombëtar për Energjinë dhe Klimën për periudhën 2025–2030, i cili përmban 61 masa. Për vitin 2026, sipas saj, janë planifikuar rreth 4.417 megavatë kapacitete të reja energjetike dhe 96 sisteme magazinimi, ndërsa realizimi i tyre varet nga kushtet e kyçjes, lejet dhe zbatimi i projekteve.

Në fushën e infrastrukturës, Bozhinovska veçoi certifikimin përfundimtar të MEPSO-s gjatë vitit 2026, vënien në funksion të transformatorit të ri në Manastir 2 dhe vazhdimin e punimeve për interkoneksionin me Shqipërinë dhe nënstacionin e Ohrit.

Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e zgjerimit të infrastrukturës së gazit për të diversifikuar furnizimin dhe për të zvogëluar varësinë nga një lidhje e vetme. Ndër projektet e përmendura ishin interkonektori me Greqinë, marrëveshja për pjesën maqedonase të lidhjes me Serbinë, përfshirja në Korridorin Vertikal të Gazit dhe puna për mundësinë e lidhjes me Kosovën.

Për interkonektorin me Greqinë, ministrja tha se pas një procedure të re tenderimi, oferta më e ulët ishte ulur nga 70,3 milionë në 59,95 milionë euro.

„Këto janë autostradat energjetike të shtetit”, u shpreh Bozhinovska, duke nënvizuar rëndësinë e projekteve për industrinë, konkurrencën në furnizim dhe mundësitë e ardhshme të tranzitit të gazit.

Vauçerë për amvisëritë dhe investime në efiçiencë

Në kuadër të mbështetjes sociale, ajo tha se gjatë vitit 2025 ishin lëshuar 3.750 vauçerë, me vlerë prej 28.000 denarësh secili dhe vlerë të përgjithshme prej 105 milionë denarësh. Për vitin 2026, sipas saj, janë realizuar 480 vauçerë elektronikë për amvisëritë me persona dhe fëmijë me aftësi të kufizuara.

Ministrja përmendi edhe planin për rinovimin energjetik të 14 objekteve publike me sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 103.000 metrash katrorë, ku punojnë 33 institucione. Për tranzicionin e drejtë në Manastir dhe Kërçovë, ajo tha se 676 persona kanë përfunduar programe trajnimi në bashkëpunim me ESM-në dhe BERZH-in, ndërsa një platformë përmban 84 projekte me vlerë të parashikuar prej rreth 1,79 miliardë eurosh.

Rriten të ardhurat nga koncesionet minerare

Në sektorin minerar, Bozhinovska veçoi rritjen e tarifave të koncesionit dhe të të ardhurave nga shfrytëzimi i burimeve natyrore. Sipas të dhënave të paraqitura prej saj, tarifa për lëndët e para minerale metalike është rritur nga 2 në 4 për qind, për mermerin nga 1 në 5 për qind, ndërsa për një kategori të lëndëve të para jometalike nga 11 në 30 denarë për ton.

Të ardhurat e përgjithshme nga ky sektor, sipas ministres, janë rritur nga rreth 561,5 milionë denarë në vitin 2024 në rreth 1,222 miliardë denarë në vitin 2025.

Ajo tha se gjatë kësaj periudhe janë ndërprerë 53 kontrata koncesioni dhe se kapaciteti inspektues është forcuar me tre inspektorë shtesë në vitin 2026. Bozhinovska theksoi se rritja e të ardhurave nuk e përjashton detyrimin për të ndërmarrë masa ndaj koncesionarëve që nuk i përmbushin obligimet.

Ministrja foli edhe për mbrojtjen e mjedisit në aktivitetet minerare, duke thënë se kuadri i ri ligjor parasheh mbulim financiar prej 100 për qind të kostove të vlerësuara, në përputhje me planet për menaxhimin e mbetjeve minerare dhe detyrimet përkatëse.

„Nuk duam të rrezikohet mjedisi dhe nuk duam t’u shkaktojmë dëm banorëve dhe shtetit”, tha ajo, duke shtuar se identifikimi i potencialit gjeologjik nuk përbën leje paraprake për hapjen e një miniere.

Në fund të fjalimit, Bozhinovska përmendi edhe rezultatin prej 100 për qind të ministrisë në Indeksin e Transparencës Aktive për vitin 2026. Ajo tha se institucioni mbetet i hapur ndaj deputetëve dhe se kritikat duhet të jenë pjesë e kontrollit demokratik, por duhet të mbështeten në fakte.

„Mosmarrëveshja politike nuk mund të shpallet paligjshmëri. Vizioni i ndryshëm për energjetikën nuk mund të shpallet shkelje e Kushtetutës. Dhe një akuzë nuk mund të bëhet fakt vetëm pse është shkruar në interpelancë”, përfundoi ministrja.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com