Ministria e Ekonomisë dhe GIZ Kosovo kanë nënshkruar Marrëveshjen e Implementimit për projektin “Kosovo Energy Project”, duke shënuar një hap të ri në bashkëpunimin ndërmjet Kosovës, Gjermanisë dhe Danimarkës për mbështetjen e tranzicionit energjetik.
Projekti financohet nga Qeveria e Gjermanisë me deri në 4 milionë euro dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës me rreth 4.022 milionë euro, me një vlerë totale prej mbi 8 milionë euro, raporton Energy Monitor.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, projekti do ta mbështesë Kosovën në përmbushjen e obligimeve ndaj Komunitetit të Energjisë, përmes avancimit të masave për efiçiencë të energjisë dhe zgjerimit të përdorimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Ai përfshin përmirësimin e kornizës rregullative për investimet në efiçiencë të energjisë dhe sistemet e vetëkonsumit, zhvillimin e mekanizmave të rinj të financimit, mbështetjen për investitorët, planifikimin energjetik në nivel komunal dhe nxitjen e pjesëmarrjes së grave në sektorin e energjisë.
Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Ekonomisë, Leonita Shabani-Mullarama, tha se marrëveshja përfaqëson më shumë sesa fillimin e një projekti të ri.
“Kjo marrëveshje pasqyron partneritetin e ndërtuar mbi besimin e ndërsjellë, vlerat e përbashkëta dhe vizionin tonë të përbashkët për një të ardhme energjetike më të qëndrueshme për Kosovën,” u shpreh ajo.
Mbështetje për investime, komunat dhe qytetarët
Sipas Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, projekti synon të krijojë kushte më të mira për investimet në efiçiencën e energjisë dhe energjinë e ripërtëritshme, si nga institucionet publike, ashtu edhe nga qytetarët dhe bizneset.
Në kuadër të projektit do të mbështeten komunat në planifikimin e prioriteteve energjetike dhe klimatike, do të përmirësohet qasja në financim dhe informacion për investitorët, do të forcohet korniza rregullative për sistemet e vetëkonsumit dhe do të krijohen mundësi të reja për përfshirjen e grave në sektorin e energjisë, përcjell Energy Monitor.
Ambasada gjermane theksoi se mekanizmat e rinj të financimit do të ndihmojnë në zgjerimin e investimeve në ndërtesa më efikase energjetikisht dhe në përdorimin e energjisë së pastër, duke sjellë përfitime për qytetarët përmes një mjedisi më të pastër dhe kostove më të ulëta të energjisë.
Projekti ndërtohet mbi më shumë se dy dekada bashkëpunimi ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës dhe synon të afrojë më tej sektorin energjetik të vendit me standardet dhe kërkesat e Bashkimit Evropian.



