Home / Uncategorized / OECD: Kosova ka humbjet më të larta të energjisë në Ballkanin Perëndimor

OECD: Kosova ka humbjet më të larta të energjisë në Ballkanin Perëndimor

Kosova ka nivelin më të lartë të humbjeve të energjisë elektrike në Ballkanin Perëndimor, me 21.9 për qind të energjisë së futur në rrjet që nuk arrin te konsumatori final, sipas raportit të ri të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

Shifra është më shumë se trefishi i mesatares së Bashkimit Evropian, e cila është rreth 6 për qind, ndërsa mesatarja e gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor arrin në 15.2 për qind. Të dhënat e OECD-së i referohen periudhës 2023-2024 dhe përfshijnë humbjet në rrjetet e transmetimit dhe shpërndarjes.

Humbjet përfshijnë si ato teknike, që lidhen me gjendjen dhe kapacitetin e infrastrukturës, ashtu edhe humbjet joteknike. OECD thekson se sistemet e vjetra të matjes dhe energjia e pafaturuar janë ndër faktorët që ndikojnë në humbjet joteknike në rajon. Për Kosovën, raporti vëren në veçanti ndikimin e energjisë së pafaturuar në komunat veriore, e cila në statistikat e humbjeve trajtohet si humbje e energjisë, përcjell Energy Monitor.

Problemi i humbjeve në Kosovë është i lidhur me një rrjet që ka kërkuar investime të vazhdueshme për modernizim. OECD vëren se infrastruktura energjetike në Ballkanin Perëndimor ka pësuar nga investimet e pamjaftueshme dhe vjetërsimi, ndërsa për Kosovën modernizimi i rrjetit dhe zhvillimi i rrjeteve inteligjente mbeten pjesë e procesit të përmirësimit të sistemit.

Megjithatë, humbjet e energjisë në Kosovë kanë shënuar rënie në krahasim me nivelet e mëparshme. Të dhënat e Zyrës së Rregullatorit për Energji tregojnë se humbjet e rrjetit kanë rënë ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, megjithëse mbeten në nivele të larta. ZRRE ka paraparë ulje të mëtejshme të humbjeve përmes investimeve dhe objektivave rregullative për operatorët e rrjetit, raporton Energy Monitor.

Një tjetër tregues i raportit tregon një situatë më të favorshme për Kosovën. Kostoja e energjisë elektrike për konsumatorët jofamiljarë është 0.18 dollarë për kWh, niveli më i ulët ndër ekonomitë e Ballkanit Perëndimor të përfshira në krahasim dhe rreth 30 për qind nën mesataren e BE-së prej 0.26 dollarësh për kWh.

Kjo kosto matet nga OECD për konsumatorët jofamiljarë me konsum vjetor ndërmjet 500 dhe 19,999 MWh dhe përfshin çmimin mesatar të energjisë pa taksa dhe tarifa.

Raporti i OECD-së e vendos kështu Kosovën përballë një kontrasti të qartë: energjia elektrike për bizneset mbetet relativisht e lirë krahasuar me BE-në dhe vendet e tjera të rajonit, por infrastruktura përmes së cilës ajo transportohet dhe shpërndahet vazhdon të ketë humbje të larta, përcjell Energy Monitor.

Përmirësimi i rrjetit bëhet edhe më i rëndësishëm në kushtet e rritjes së prodhimit nga burimet e ripërtëritshme. Investimet e reja në energjinë diellore dhe të erës, si dhe projektet e baterive, do të kërkojnë kapacitete më të mëdha dhe menaxhim më të avancuar të rrjetit.

OECD vëren se në të gjithë Ballkanin Perëndimor po planifikohen investime të reja në infrastrukturën energjetike, përfshirë zgjerimin dhe modernizimin e rrjeteve të transmetimit.

Për Kosovën, reduktimi i humbjeve mbetet një nga çështjet kryesore për përmirësimin e efikasitetit të sistemit elektrik dhe për përgatitjen e rrjetit për kapacitetet e reja të prodhimit.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com