Qeveria e Serbisë ka vendosur të zgjasë deri më 31 gusht 2026 ndalimin e përkohshëm të eksportit të naftës dhe derivateve të saj, me synimin për të garantuar furnizimin e tregut të brendshëm dhe për të parandaluar mungesat e mundshme të karburanteve.
Vendimi vjen në një periudhë kur autoritetet serbe vazhdojnë të përballen me pasiguritë në tregun rajonal dhe ndërkombëtar të energjisë.
Sipas autoriteteve serbe, masa mbetet në fuqi për shkak të zhvillimeve në tregjet globale të naftës dhe nevojës për të siguruar furnizim të qëndrueshëm për qytetarët dhe ekonominë e vendit.
Ndalimi përfshin eksportin e naftës bruto dhe një sërë produktesh të rafinuara, përfshirë benzinën dhe naftën (dizelin), ndërsa përjashtime lejohen vetëm në raste të veçanta të miratuara nga qeveria.
Masë e zgjatur disa herë gjatë vitit
Ndalimi i eksporteve u vendos fillimisht në muajin mars, pas rritjes së çmimeve ndërkombëtare të naftës dhe tensioneve gjeopolitike në Lindjen e Mesme, përcjell Energy Monitor.
Që atëherë, qeveria serbe e ka zgjatur disa herë këtë masë, duke argumentuar se prioritet mbetet mbrojtja e tregut vendas dhe shmangia e mungesave të karburanteve.
NIS mbetet nën presion
Vendimi vjen edhe në një periudhë sfiduese për kompaninë serbe të naftës NIS, e cila vazhdon të operojë me leje të përkohshme nga autoritetet amerikane për shkak të sanksioneve që lidhen me pronësinë ruse të kompanisë.
Në fund të korrikut, Serbia siguroi një tjetër shtyrje të kësaj licence deri më 28 gusht, ndërsa negociatat për ndryshimin e strukturës së pronësisë së NIS vazhdojnë.



