Parlamenti i Rumanisë ka miratuar përfundimisht një ligj që lehtëson ndjeshëm procedurat mjedisore për projekte të caktuara hidroenergjetike.
Legjislacioni i ri synon të mundësojë vazhdimin dhe përfundimin e projekteve të vjetra hidroenergjetike, si dhe të përshpejtojë investimet që autoritetet i konsiderojnë të rëndësishme për sigurinë kombëtare, njofton Balkan Green Energy News.
Ligji u miratua për herë të dytë pasi Gjykata Kushtetuese kishte refuzuar një ankesë të presidentit Dan. Presidenti kishte kundërshtuar ndryshimet duke iu referuar, ndër të tjera, direktivave të Bashkimit Evropian për mbrojtjen e shpendëve dhe vlerësimin e ndikimit në mjedis, njofton Energy Monitor.
Përjashtime nga vlerësimi mjedisor
Sipas ligjit të ri, projektet hidroenergjetike që janë miratuar dhe kanë qenë në zhvillim para mesit të vitit 2007 mund të përjashtohen nga zona të mbrojtura.
Përjashtimi shtrihet edhe te projektet hidroenergjetike që Këshilli i Lartë i Mbrojtjes Kombëtare (CSAT) i konsideron të domosdoshme për sigurinë kombëtare.
Gjithashtu, sistemet ekzistuese të prodhimit dhe transmetimit të energjisë elektrike që ndodhen brenda zonave të mbrojtura do të mund t’i nënshtrohen procedurave të lehtësuara për punët e mirëmbajtjes dhe modernizimit.
27 zona të mbrojtura mund të preken
Ndryshimet kanë shkaktuar kundërshtime të forta nga organizatat mjedisore.
Sipas Bankwatch Romania dhe organizatës Declic, ligji mund të prekë 27 parqe kombëtare, parqe natyrore dhe zona Natura 2000, duke krijuar rrezik për dëmtimin e habitateve dhe biodiversitetit.
Ministrja e Mjedisit, Ujërave dhe Pyjeve, Diana-Anda Buzoianu, kishte kundërshtuar më herët propozimin, duke argumentuar se përjashtimet e përgjithshme mund të bien ndesh me traktatet evropiane, përcjell Energy Monitor.
Sipas saj, përjashtimet duhet të lejohen vetëm për projekte individuale dhe jo përmes një mekanizmi të përgjithshëm.
Presioni për më shumë prodhim hidroenergjetik
Nga ana tjetër, sektori hidroenergjetik në Rumani përballet prej vitesh me projekte të papërfunduara dhe procedura të gjata gjyqësore e mjedisore.
Kompania shtetërore Hidroelectrica ka argumentuar se nuk ka qenë në gjendje të përfundojë një numër projektesh për shkak të pengesave në procedurat e lejeve.
Një nga rastet më të rëndësishme është hidrocentrali Răstolița, i cili është rreth 90 për qind i përfunduar, por lejet mjedisore dhe të ndërtimit janë pezulluar nga gjykatat. Projekti daton që nga fundi i viteve 1980.
Vendimi i Parlamentit vjen në një moment kur Rumania po përballet edhe me presion të madh mbi sistemin energjetik. Temperaturat e larta dhe nivelet e ulëta të ujit kanë goditur prodhimin hidroenergjetik dhe kanë krijuar probleme edhe për funksionimin e centraleve të tjera të mëdha të vendit, përcjell Energy Monitor.
Kjo e ka rikthyer në qendër të debatit çështjen e sigurisë së furnizimit dhe nevojën për të përfunduar kapacitetet ekzistuese hidroenergjetike.
Përplasje mes sigurisë energjetike dhe mbrojtjes së mjedisit
Rasti i Rumanisë tregon një nga dilemat kryesore të tranzicionit energjetik në Evropë: si të përshpejtohet ndërtimi dhe modernizimi i kapaciteteve të energjisë së pastër, pa dobësuar standardet për mbrojtjen e natyrës.
Hidrocentralet konsiderohen burime të ripërtëritshme dhe luajnë një rol të rëndësishëm në fleksibilitetin e sistemit energjetik, por ndërtimi i tyre mund të ketë ndikime të konsiderueshme në lumenj, ekosisteme dhe zona të mbrojtura.
Me ligjin e ri, Rumania po zgjedh një qasje më të shpejtë për projektet që i konsideron strategjike, ndërsa kundërshtarët paralajmërojnë se kjo mund të krijojë konflikt me rregullat evropiane për mbrojtjen e mjedisit.
Për vendet e rajonit, debati rumun është veçanërisht relevant në një kohë kur siguria energjetike, kapacitetet e reja të prodhimit dhe përshpejtimi i investimeve po vendosen gjithnjë e më shpesh përballë kërkesave për mbrojtjen e biodiversitetit.



