Greqia ka vazhduar me ritme të jashtëzakonshme zgjerimin e kapaciteteve diellore, duke shtuar 724 MW kapacitet të ri fotovoltaik vetëm gjatë muajit maj 2026, pavarësisht rritjes së kufizimeve të prodhimit dhe çmimeve shumë të ulëta të energjisë elektrike.
Të dhënat e Administratës për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë dhe Garancitë e Origjinës (DAPEEP) tregojnë se vala e investimeve në fotovoltaikë në Greqi vazhdon me ritme të larta, njofton Balkan Greeen Energy News.
Shtesa prej 724 MW në vetëm një muaj e çon kapacitetin total të instaluar diellor të vendit në rreth 18.6 GW, duke e forcuar më tej rolin e energjisë diellore në sistemin energjetik grek.
Prodhimi diellor rritet, por rrjeti përballet me kufizime
Problemi është se zgjerimi shumë i shpejtë i kapaciteteve fotovoltaike po krijon një sfidë të re për sistemin.
Në orët me diell të fortë, prodhimi nga centralet diellore mund të tejkalojë kërkesën dhe kapacitetin e sistemit për ta absorbuar energjinë. Si rezultat, operatorët detyrohen të kufizojnë prodhimin e disa centraleve, një proces i njohur si curtailment.
Kjo do të thotë se një pjesë e energjisë që panelet mund të prodhonin nuk futet fare në rrjet.
Të dhënat e publikuara për tregun grek tregojnë se kufizimet e prodhimit të energjisë së ripërtëritshme janë rritur ndjeshëm gjatë vitit 2026. Vetëm gjatë katër muajve të parë të vitit, sipas të dhënave paraprake të rregullatorit grek, rreth 876.5 GWh energji e ripërtëritshme u kufizua.
Çmimet shumë të ulëta godasin prodhuesit
Problemi nuk është vetëm teknik. Rritja e prodhimit diellor gjatë orëve të ditës po ushtron presion edhe mbi çmimet në tregun e energjisë elektrike. Në disa orë, çmimet e energjisë kanë zbritur në nivele shumë të ulëta apo edhe negative.
Kjo krijon një paradoks për prodhuesit: kapaciteti diellor vazhdon të rritet, por energjia e prodhuar në orët me ekspozimin më të madh diellor mund të ketë vlerë shumë të ulët në treg, përcjell Energy Monitor.
Në tregun grek, prodhuesit e fotovoltaikëve kanë paralajmëruar se të ardhurat e tyre janë nën presion për shkak të kufizimeve dhe çmimeve shumë të ulëta. Sipas raportimeve të mëparshme, të ardhurat e prodhuesve në vitin 2026 pritet të jenë dukshëm më të ulëta se një vit më parë.
Tashmë nevojitet më shumë se vetëm prodhim nga burimet solare
Zhvillimi i Greqisë tregon një fazë të re të tranzicionit energjetik.
Në vend që sfida kryesore të jetë vetëm ndërtimi i kapaciteteve të reja, gjithnjë e më e rëndësishme bëhet aftësia e sistemit për ta përdorur energjinë kur ajo prodhohet.
Kjo e rrit rëndësinë e baterive, hidrocentraleve me akumulim, interkonektorëve dhe mekanizmave të fleksibilitetit të kërkesës.
Në këtë drejtim, Greqia po përballet me nevojën për të lidhur zgjerimin e shpejtë të energjisë diellore me investime në ruajtjen e energjisë dhe fleksibilitetin e rrjetit.
Një mësim edhe për rajonin
Rasti grek është relevant edhe për vendet e tjera të Evropës Juglindore që po përshpejtojnë zhvillimin e projekteve të energjisë diellore, përcjell Energy Monitor.
Shtimi i qindra megavatëve të kapacitetit të ri është vetëm njëra anë e tranzicionit. Nëse rrjeti, ruajtja e energjisë dhe kërkesa fleksibile nuk zhvillohen me të njëjtin ritëm, rritja e prodhimit të energjisë së ripërtëritshme mund të shoqërohet me më shumë kufizime dhe presion mbi çmimet.
Për Greqinë, shtimi i 724 MW solar në vetëm një muaj tregon fuqinë e investimeve në energjinë diellore. Por njëkohësisht tregon edhe sfidën e re të sistemit: si të integrohet gjithë kjo energji në rrjet dhe të ruhet vlera e saj ekonomike.



