KEDS po realizon një projekt për rikonstruktimin dhe modernizimin e rrjetit elektrik në zonën e Dobrosh Kallavajit në Gjakovë, me qëllim përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë së furnizimit me energji elektrike.
Vlera e projektit, të cilin KEDS e ka emërtuar TS Dobrosh Kallavaj, është 50,028.61 euro.
Projekti përfshin ndërhyrje në rrjetin e tensionit të mesëm dhe tensionit të ulët, si dhe ndërtimin e një trafostacioni të ri.
1.3 kilometra rrjet i tensionit të mesëm
Në kuadër të projektit do të rikonstruktohen rreth 1.3 kilometra rrjet i tensionit të mesëm, përmes vendosjes së kabllos ajrore dhe shtyllave të betonit.
Gjithashtu, do të rikonstruktohen rreth 900 metra rrjet i tensionit të ulët, përcjell Energy Monitor.
Një pjesë tjetër e investimit është ndërtimi i një trafostacioni të ri, të tipit trafoshtyllë metalike, me kapacitet prej 160 kVA.
Punimet në fazën e shtrirjes së kabllos
Sipas KEDS-it, punimet aktualisht kanë hyrë në fazën e shtrirjes së kabllos së tensionit të ulët.
Pas përfundimit dhe energjizimit të projektit, konsumatorët e zonës pritet të përfitojnë nga nivele më të mira të tensionit, furnizim më i sigurt dhe më i besueshëm, si dhe më pak ndërprerje të energjisë elektrike.
Investimi është pjesë e ndërhyrjeve në rrjetin e shpërndarjes që synojnë rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e sigurisë së furnizimit për konsumatorët në zona të ndryshme të Kosovës.



