Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka nisur rishikimin e sistemit të sigurisë dhe shëndetit në punë, pas aksidenteve të fundit në vendin e punës.
Në kuadër të masave të ndërmarra nga KEK-u dhe në zbatim të konkluzioneve të Bordit të Drejtorëve dhe Menaxhmentit, ka filluar punën një Task-Forcë për vlerësimin, rishikimin dhe avancimin e sistemit të sigurisë dhe shëndetit në punë.
Task-Forca përbëhet nga përfaqësues të strukturave operative dhe profesionale të korporatës, përfshirë edhe përfaqësues sindikalë. Sipas nevojës, në punë mund të përfshihen edhe ekspertë të brendshëm ose të jashtëm për fusha specifike.
Do të shqyrtohen procedurat dhe standardet ekzistuese
Sipas KEK-ut, Task-Forca do të bëjë një vlerësim të plotë të sistemit aktual të sigurisë dhe shëndetit në punë.
Në fokus do të jenë procedurat, standardet dhe praktikat ekzistuese, me qëllim identifikimin e mangësive eventuale dhe hartimin e masave konkrete për përmirësimin e sigurisë, përcjell Energy Monitor.
Puna do të përfshijë gjithashtu forcimin e mbikëqyrjes dhe të përgjegjësisë në të gjitha nivelet e korporatës.
Përgjegjësia për zbatimin u mbetet njësive përkatëse
KEK ka bërë të ditur se rekomandimet që do të dalin nga procesi do të zbatohen nga divizionet, departamentet dhe njësitë përkatëse.
Zbatimi i tyre do të mbikëqyret në vazhdimësi nga Menaxhmenti, deri në realizimin e plotë të masave të përcaktuara.
“Siguria dhe shëndeti i punonjësve janë prioritet absolut i KEK Sh.A.”, thuhet në njoftimin e korporatës.
KEK ka deklaruar gjithashtu se çdo mangësi e identifikuar do të trajtohet me përgjegjësi, transparencë dhe masa konkrete.
Rishikimi i sistemit të sigurisë vjen në një periudhë kur çështja e kushteve të punës dhe sigurisë së punonjësve në sektorin energjetik të Kosovës është rikthyer në fokus pas aksidenteve të fundit në KEK.



