Projekti për ndërtimin e një hidrocentrali në zonën e Vuklit, në Malësinë e Madhe, ka shkaktuar reagimin e banorëve të Lagjes Muriq, të cilët kërkojnë më shumë informacion dhe transparencë për ndërhyrjen e planifikuar.
Përfaqësues të Partisë Socialdemokrate në Malësi të Madhe zhvilluan një takim me banorët, ku u njohën me shqetësimet e komunitetit lidhur me projektin dhe dokumentacionin përkatës.
Gjatë takimit, anëtari i Këshillit Bashkiak të Malësisë së Madhe, Mark Luli, u shpreh kundër ndërtimit të HEC-it. Sipas tij, projekti nuk sjell përfitime për banorët e zonës dhe mund të rrisë rrezikun e përmbytjeve, përcjell Energy Monitor.
Banorët kërkojnë që institucionet përgjegjëse të bëjnë transparencë të plotë mbi projektin, përfshirë ndikimet e mundshme në zonë dhe komunitet.
Ata kërkojnë gjithashtu që shqetësimet e banorëve të merren në konsideratë përpara se të nisë çdo ndërhyrje lidhur me ndërtimin e hidrocentralit.



