Qytetarët që jetojnë pranë projekteve të mëdha energjetike dhe pronarët e tokave do të duhet të përfshihen më herët në procesin e zhvillimit të tyre. Rregullat e reja në Shqipëri parashikojnë konsultime publike që në fazat e para, si dhe detyrimin që zhvilluesit të shpjegojnë se si janë trajtuar komentet dhe kundërshtimet e qytetarëve.
Sipas Ekofin, këto kërkesa janë pjesë e Vendimit nr. 650, datë 27 gusht 2026, i cili përcakton rregulla të reja për projektet energjetike rajonale dhe ndërkufitare. Vendimi u jep këtyre projekteve një status të veçantë në procedurat e planifikimit, lejeve dhe zhvillimit.
Konsultimi nis më herët
Sipas rregullave të reja, në konsultime nuk do të përfshihen vetëm institucionet. Procesi duhet të përfshijë pronarët e tokave, banorët pranë projektit, publikun e gjerë dhe shoqatat.
Ekofin raporton se përpara dorëzimit të dosjes përfundimtare të një projekti duhet të zhvillohet të paktën një konsultim publik. Zhvilluesi duhet më pas të publikojë një raport ku tregon se si janë marrë parasysh komentet e qytetarëve dhe, nëse propozimet nuk janë pranuar, arsyet e refuzimit.
Për projektet ndërkufitare, konsultimet në vendet e përfshira duhet të zhvillohen brenda një periudhe jo më të gjatë se dy muaj nga nisja e konsultimit të parë.
Informacion më i kuptueshëm për komunitetet
Një nga kërkesat e reja është edhe përgatitja e një broshure prej jo më shumë se 15 faqesh, e cila duhet të shpjegojë në mënyrë të kuptueshme projektin, qëllimin e tij, afatet, alternativat e mundshme të traseve dhe masat për zbutjen e ndikimeve.
Sipas Ekofin, informacioni duhet të publikohet në faqen e internetit të projektit dhe në tabelat e njoftimeve të administratës vendore, ndërsa sipas rastit edhe në një ose dy media lokale. Palët e prekura duhet të ftohen me shkrim në takime të posaçme, përcjell Energy Monitor.
Faqja e projektit duhet të përmbajë gjithashtu planin e zbatimit, kalendarin e konsultimeve, si dhe informacionin për fondet e alokuara dhe të disbursuara nga Bashkimi Evropian.
Kritere edhe për projektet ndërkufitare
Vendimi përcakton edhe kritere konkrete për projektet që synojnë të marrin status të rëndësishëm ndërkufitar.
Për shembull, projektet e rrjeteve inteligjente elektrike duhet të plotësojnë të paktën dy kritere, të lidhura me numrin e përdoruesve, konsumin e energjisë, pjesën e energjisë së ripërtëritshme ose uljen e izolimit energjetik.
Për projektet e transmetimit, kriteret përfshijnë rritjen e kapacitetit ndërkufitar me të paktën 500 MW, ose 200 MW në rastet kur projekti ndihmon në uljen e izolimit energjetik të sistemeve të painterkonektuara.
Projektet vlerësohen gjithashtu për kontributin e tyre në integrimin e energjisë së ripërtëritshme, fleksibilitetin, konkurrencën dhe sigurinë e furnizimit.
Rregullat e reja synojnë të rrisin transparencën dhe përfshirjen e komuniteteve në projekte të mëdha energjetike, ndërsa në të njëjtën kohë përshpejtojnë zhvillimin e infrastrukturës që konsiderohet me rëndësi për sigurinë energjetike dhe integrimin e tregjeve.



