Home / Lajme / Rajoni / Mali i Zi: Hidrocentrali Peruqica rikthehet në rrjet me 190 MW fuqi të disponueshme

Mali i Zi: Hidrocentrali Peruqica rikthehet në rrjet me 190 MW fuqi të disponueshme

Hidrocentrali Peruqica në Mal të Zi është rikthyer në rrjet me 190 MW fuqi të disponueshme, pas përfundimit të punimeve të remontit vjetor, përcjell Energy Monitor.

Pas mbushjes me ujë të sistemit furnizues dhe të tubacionit të parë dhe të tretë, janë testuar me sukses dhe janë përgatitur për operim agregatët A1, A2, A6 dhe A7.

Periudha e ndërprerjes së plotë të punës ishte shkurtuar në pak më shumë se dy javë, nga mesi deri në fund të gushtit. Fillimisht, remonti ishte planifikuar të zgjaste deri më 30 gusht, ndërsa rikthimi në rrjet ishte paraparë për 1 shtator.

Gjatë remontit janë realizuar punimet e planifikuara dhe të nevojshme në pajisjet e hidrocentralit, ndërsa rikthimi i agregatëve mundëson vazhdimin e prodhimit të energjisë elektrike nga një prej kapaciteteve kryesore hidroenergjetike të Malit të Zi, përcjell Energy Monitor.

Në gjashtë muajt e parë të vitit, HE Peruqica kishte prodhuar 577 GWh energji elektrike, disa për qind mbi planin vjetor të prodhimit.

Ndërkohë, EPCG po përgatit edhe një investim të ri në këtë hidrocentral. Zgjedhja e kontraktuesit për instalimin e agregatit të tetë pritet së shpejti, ndërsa investimi prej rreth 40 milionë eurosh, i financuar nga KfW, pritet të nisë deri në fund të vitit. Agregati i ri pritet t’i shtojë sistemit rreth 50 GWh energji elektrike në vit.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com