Në njësitë administrative Shtiqen, Bicaj e Tërthore është ndërhyrë përmes investimeve nga OSHEE për rrjetin e ri të transmetimit të energjisë elektrike në tensionin e mesëm e të ulët. Në fshatrat e këtyre njësive janë vendosur shtylla të reja dhe linja kabllore.
Drejtori rajonal i OSHEE Kukës, Elson Brati, thotë se, bashkë me fshatrat e tre njësive administrative, investimi është shtrirë edhe në lagjet e qytetit, investime të cilat janë drejt përfundimit të tyre.
Linjat e reja, bashkë me aksesorët e nevojshëm, sipas drejtorit Brati, synojnë jo vetëm përmirësimin e transmetimit dhe cilësisë së shërbimit për konsumatorët, por edhe reduktimin e humbjeve në rrjet.
Paralelisht me investimet, në ditët e fundit Drejtoria Rajonale e OSHEE Kukës ka ndërmarrë një aksion të gjerë për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike të abonentëve debitorë, por edhe një kontroll për lidhje të paligjshme në rrjet.
/rtsh.al



