Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me presidenten e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Odile Renaud-Basso, në margjinat e Samitit të Procesit të Berlinit, ku kanë diskutuar për forcimin e bashkëpunimit dhe projektet infrastrukturore e ekonomike në Kosovë.
Sipas Kurtit, takimi vazhdoi diskutimet e nisura në prill në Londër. Ai tha se në mandatin e ri synohet që partneritetet për investime me BERZH-in të përqendrohen në prioritetet strategjike të Kosovës, përfshirë sigurinë energjetike dhe ujore, mbrojtjen, transportin e qëndrueshëm dhe infrastrukturën.
Që nga anëtarësimi i Kosovës në BERZH më 2012, banka ka ofruar rreth 967 milionë euro financim për 151 projekte në sektorin publik dhe privat, sipas të dhënave të institucionit.
BERZH-i është një nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës për financimin e projekteve zhvillimore. Në vitin 2024, banka dhe Qeveria e Kosovës nënshkruan një memorandum mirëkuptimi që parashihte një portofol të mundshëm investimesh prej rreth 400 milionë eurosh deri në vitin 2027, në fusha që përfshijnë energjinë, transportin, ekonominë e gjelbër dhe integrimin rajonal.
Kurti e cilësoi BERZH-in partner të rëndësishëm edhe në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.



