Home / Lajme / Rajoni / Ujësjellësi i Elbasanit investon 2 milionë euro në eficiencë dhe energji fotovoltaike

Ujësjellësi i Elbasanit investon 2 milionë euro në eficiencë dhe energji fotovoltaike

Kostoja e lartë e energjisë elektrike për pompimin e ujit po i shtyn ujësjellësit në Shqipëri drejt investimeve në eficiencë energjetike dhe prodhimin e energjisë për vetëkonsum. Një nga investimet më të fundit është ai i Ujësjellësit të Elbasanit, me vlerë rreth 2 milionë euro, që përfshin përmirësimin e pajisjeve të pompimit dhe instalimin e paneleve fotovoltaike.

Kontrata, me vlerë 197.1 milionë lekë, synon uljen e konsumit të energjisë përmes ndërhyrjeve në pajisjet elektromekanike dhe prodhimit të energjisë nga dielli. Sipas dokumentacionit teknik të projektit, sistemet Mengel/Frigorifer, Krastë e Vogël, Cërrik dhe Peqin përbëjnë rreth 75% të konsumit të energjisë të sistemeve të furnizimit me ujë në rajonin e Elbasanit.

Një nga ndërhyrjet kryesore është ajo në stacionin e pompimit në Krastë të Vogël, ku parashikohet zëvendësimi i pompave dhe rehabilitimi i infrastrukturës. Sipas vlerësimeve të projektit, vetëm përmirësimi i sistemit të pompimit mund të ulë konsumin e energjisë me 34.2%, duke kursyer rreth 428 MWh në vit. Në vlerësimin e projektit, kjo përkthehet në rreth 50,500 euro kursime vjetore, përcjell Energy Monitor.

Investimi në fotovoltaikë synon të reduktojë më tej energjinë që ujësjellësi duhet të blejë nga rrjeti. Për Krastën e Vogël janë modeluar skenarë ku energjia diellore mbulon 25%, 50% ose 100% të konsumit neto. Në skenarin e parë, kombinimi i përmirësimit të pompave me prodhimin fotovoltaik do të sillte një ulje të konsumit prej rreth 50.6%, ose rreth 634 MWh në vit.

Nevoja për të ulur kostot e energjisë është veçanërisht e rëndësishme për ujësjellësit, pasi një pjesë e konsiderueshme e ujit prodhohet dhe transportohet përmes pompimit. Në raportet e saj vjetore, ERRU e identifikon energjinë elektrike si një nga kostot kryesore operative të sektorit dhe rekomandon auditime të eficiencës, zëvendësimin e pajisjeve me konsum të lartë dhe përdorimin e burimeve të ripërtëritshme.

Pesha e energjisë në kostot e sektorit shihet edhe te skema e subvencioneve. Sipas raportit vjetor 2025 të ERRU, 88.8% e fondit prej 350 milionë lekësh të subvencioneve për sektorin u përdor për mbulimin e kostove të energjisë elektrike. Elbasani ishte një nga gjashtë shoqëritë që përfituan nga kjo skemë, e cila synon operatorët ku më shumë se 75% e ujit prodhohet përmes ngritjes mekanike.

Investimi i Elbasanit nuk është rasti i parë i përdorimit të energjisë diellore në infrastrukturën e ujësjellësve. Të dhënat e ERE për vitin 2025 tregojnë se 16 institucione jobuxhetore me status vetëprodhuesi ishin subjekte si ujësjellës, poliklinika dhe qendra shëndetësore, ndërsa gjithsej 69 institucione publike kishin statusin e vetëprodhuesit.

Për ujësjellësit, kombinimi i eficiencës së pompimit me prodhimin e energjisë për vetëkonsum mund të reduktojë njëkohësisht faturën e energjisë dhe ekspozimin ndaj ndryshimeve të çmimeve të energjisë elektrike. Kjo e bën fotovoltaikun një investim jo vetëm për dekarbonizimin e sektorit, por edhe për uljen e kostove operative të shërbimeve të ujësjellësit.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com