Home / Lajme / Rajoni / Tropojë: Parku eolik 366 MW kalon fazën mjedisore

Tropojë: Parku eolik 366 MW kalon fazën mjedisore

Projekti i Eralb Invest 2 në Tropojë ka kaluar një tjetër fazë të procedurave, pasi projekti për ndërtimin e një parku eolik me kapacitet 366 MW ka marrë deklaratën mjedisore. Dokumenti është lëshuar më 15 korrik 2026 dhe i hap rrugë vijimit të procedurave për zhvillimin e projektit.

Parku i quajtur “Parku Eolik Tropojë” parashikon instalimin e 60 turbinave, me kapacitet prej 6.1 MW secila. Prodhimi neto vjetor i parashikuar është rreth 713.5 GWh energji elektrike.

Projekti është pjesë e një investimi më të gjerë të Eralb Invest 2, i cili në vitin 2023 mori statusin “Projekt me Potencial Strategjik”. Konfigurimi fillestar parashikonte një park eolik prej 636 MW me 100 turbina dhe një park fotovoltaik prej 190 MW me rreth 418,500 panele. Vlera e investimit ishte parashikuar në rreth 1.2 miliardë euro.

Konfigurimi që ka marrë deklaratën mjedisore është më i vogël se projekti fillestar dhe përfshin vetëm parkun e erës me 366 MW. Deklarata mjedisore nuk përbën leje përfundimtare për ndërtimin, por lejon vazhdimin e procedurave, në përputhje me kushtet dhe masat për parandalimin dhe minimizimin e ndikimeve në mjedis, përcjell Energy Monitor.

Parku parashikohet të ndërtohet në territorin e Bashkisë Tropojë, në qarkun e Kukësit. Dokumentacioni i projektit tregon se zona e propozuar nuk ndodhet brenda rrjetit të zonave të mbrojtura dhe se gjatë vlerësimit nuk janë identifikuar konflikte me kërkesat ligjore për burimet ujore.

Projekti përfitoi nga shtyerja e statusit të ‘projektit me potencial strategjik’

Bashkia Tropojë ka dhënë miratimin në parim për zhvillimin e parkut, ndërsa në korrik është zhvilluar edhe konsultimi publik me banorë dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe mjedisore.

Projekti ka kaluar disa ndryshime gjatë procesit të zhvillimit. Pas rishikimit të sipërfaqeve të nevojshme për projektin, është lidhur një kontratë e re qiraje për 39.02 hektarë, me afat 10-vjeçar. Ndërkohë, statusi “Projekt me Potencial Strategjik” ishte shtyrë për t’i dhënë kompanisë kohë për përfundimin e procedurave të nevojshme.

Eralb Invest 2 është pjesë e CWP Europe, kompanisë që zhvillon projekte të energjisë së ripërtëritshme në Evropën Juglindore. Sipas të dhënave të regjistrit të biznesit, Eralb Invest 2 është 100% në pronësi të CWP Eralb B.V., kompani e regjistruar në Holandë.

CWP Europe e ka prezantuar projektin e Tropojës si një nga projektet e saj kryesore të energjisë së erës në Shqipëri.

Nga 636 në 366 MW energji elektrike

Projekti ka kaluar ndër vite në disa konfigurime dhe procedura të ndryshme. Në vitin 2023, ai u paraqit si një projekt hibrid prej 826 MW, që përfshinte 636 MW energji eolike dhe 190 MW fotovoltaike.

Në fillim të vitit 2026, CWP e prezantoi projektin si një park eolik prej rreth 600 MW, ndërsa deklarata mjedisore e miratuar në korrik mbulon një konfigurim prej 366 MW. Ndryshimet në kapacitet dhe konfigurim tregojnë se projekti është riformatuar gjatë procesit të zhvillimit dhe ende nuk është në fazën e ndërtimit.

Në janar 2026, projekti i Tropojës u prezantua publikisht si një park eolik me kapacitet rreth 600 MW, ndërsa dokumentacioni i fundit mjedisor i referohet konfigurimit prej 366 MW.

Deklarata mjedisore për konfigurimin 366 MW ka edhe një afat të përcaktuar: nëse puna për zbatimin e projektit nuk nis brenda dy viteve nga miratimi, deklarata humbet vlefshmërinë dhe procedura e vlerësimit të ndikimit në mjedis duhet të rifillojë nga e para.

Lidhjet e CWP me Serbinë?

CWP ka pasur prej vitesh aktivitet të rëndësishëm në Serbi, ndërsa lidhjet e kompanisë me Beogradin janë trajtuar edhe në raportime mediatike.

Para hyrjes në qeverinë serbe, ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabić, drejtoi Continental Wind Serbia (CWS), degë e Continental Wind Partners (CWP), ku ishte e angazhuar në zhvillimin e projekteve të energjisë së erës në vend.

Raportime investigative të publikuara në vitin 2018 shqyrtuan gjithashtu strukturën korporative dhe aktivitetet offshore të kompanive të lidhura me Continental Wind, përfshirë kompani të regjistruara në juridiksione jashtë Serbisë.

Brnabić deklaroi në atë kohë se ishte larguar nga CWS kur hyri në qeveri dhe mohoi të kishte pasur rol në legjislacionin për energjinë e ripërtëritshme.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com