Home / Lajme / Mjedisi / Kosova kërkon bashkëpunim ndërkufitar për Pellgun e Drinit

Kosova kërkon bashkëpunim ndërkufitar për Pellgun e Drinit

Kosova ka shprehur mbështetjen për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Pellgut të Drinit, me synim menaxhimin më të qëndrueshëm të burimeve ujore dhe përballimin e sfidave që prekin vendet e rajonit.

Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se ka hapur Takimin Informues Kombëtar për të ardhmen e bashkëpunimit në Pellgun e Drinit, ku është diskutuar avancimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve të pellgut dhe mundësia e një marrëveshjeje ndërkombëtare.

Menaxhimi i ujërave me rëndësi edhe për energjinë

Pellgu i Drinit ka rëndësi strategjike për sektorin energjetik të rajonit, pasi ujërat e tij përdoren për prodhimin e energjisë hidroelektrike, veçanërisht në Shqipëri dhe në pjesë të tjera të pellgut.

Për këtë arsye, menaxhimi ndërkufitar i ujërave është i lidhur edhe me sigurinë dhe planifikimin energjetik, veçanërisht në një rajon ku hidrocentralet përbëjnë një pjesë të rëndësishme të kapaciteteve të prodhimit të energjisë elektrike.

Pacolli ka theksuar se Kosova e mbështet procesin dhe se do të jetë aktive në hapat e ardhshëm drejt forcimit të bashkëpunimit.

Sipas saj, menaxhimi i ujërave, rreziku nga vërshimet, thatësirat, cilësia e ujit dhe mbrojtja e biodiversitetit kërkojnë veprim të koordinuar ndërmjet vendeve që ndajnë të njëjtin sistem ujor.

Në fokus një marrëveshje ndërkombëtare

Takimi ka trajtuar mundësinë e krijimit të një kuadri më të avancuar ndërkombëtar për bashkëpunimin në Pellgun e Drinit.

Një bashkëpunim më i strukturuar mund të ndihmojë në koordinimin e menaxhimit të ujërave dhe në përballimin e ndikimeve të ndryshimeve klimatike, të cilat po rrisin presionin mbi burimet ujore dhe po sjellin periudha më të shpeshta të thatësirave dhe reshjeve intensive.

Procesi mbështetet nga Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE), Sekretariati i Grupit Bërthamë të Drinit dhe organizatat GWP-Med.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com