Konsumi i energjisë elektrike në Kinë kaloi për të dytin muaj radhazi shifrën prej 1 trilion kilovat-orësh në gusht, ndërsa ngarkesa e rrjetit elektrik arriti nivelin më të lartë të regjistruar deri më tani.
Sipas Administratës Kombëtare të Energjisë të Kinës (NEA), konsumi i përgjithshëm i energjisë elektrike në gusht arriti në 1.033 trilion kWh, duke u rritur me 1.7 për qind krahasuar me gushtin e vitit të kaluar. Në korrik, konsumi kishte arritur në rreth 1.04 trilion kWh, duke e kaluar për herë të parë këtë vit pragun prej 1 trilion kWh.
Ngarkesa maksimale e rrjetit arriti në 1.56 miliardë kilovat, ose rreth 1.56 teravat, që është 49.69 milionë kilovat më shumë se rekordi i regjistruar një vit më parë. Sipas NEA-së, në shtatë ditë të gushtit ngarkesa tejkaloi nivelin maksimal të vitit 2025.
Rritja e konsumit u udhëhoq kryesisht nga industria dhe sektori i shërbimeve. Konsumi në industrinë e dytë u rrit me 2.4 për qind, ndërsa në sektorin e tretë me 5.1 për qind. Brenda industrisë, konsumi i sektorëve të teknologjisë së lartë dhe prodhimit të pajisjeve u rrit me 7.2 për qind, përcjell Energy Monitor.
Në të njëjtën kohë, konsumi i energjisë nga familjet urbane dhe rurale ra me 4 për qind në gusht. NEA e lidhi këtë rënie kryesisht me faktin se tajfunet dhe reshjet e dendura ishin më të shpeshta në gushtin e këtij viti, duke ulur përdorimin e kondicionerëve.
Në periudhën janar-gusht, konsumi i përgjithshëm i energjisë elektrike në Kinë arriti në 7.173 trilionë kWh, me një rritje prej 4.3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Të dhënat e fundit tregojnë gjithashtu peshën në rritje të sektorëve të rinj të ekonomisë në kërkesën për energji. Në tetë muajt e parë të vitit, konsumi i shërbimeve të karikimit dhe ndërrimit të baterive u rrit me 55.1 për qind, ndërsa konsumi i qendrave të shërbimeve të të dhënave në internet u rrit me 42.5 për qind.



