Ekonomitë në zhvillim, përjashtuar Kinën, pritet të shtojnë për herë të parë po aq kapacitete të reja të energjisë së ripërtëritshme sa vendet e zhvilluara gjatë pesë viteve të ardhshme. Sipas parashikimeve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), zgjerimi i kapaciteteve globale do të përshpejtohet deri në vitin 2031, ndërsa shqetësimet për sigurinë energjetike dhe çmimet e larta të karburanteve fosile po shtyjnë gjithnjë e më shumë vende drejt burimeve alternative të energjisë.
Në raportin vjetor “Renewables 2026”, të publikuar më 6 nëntor, IEA parashikon se kapacitetet globale të energjisë së ripërtëritshme do të rriten me afro 4.800 gigavatë (GW) gjatë periudhës 2026–2031. Kjo përfaqëson një rritje prej 57 për qind krahasuar me periudhën gjashtëvjeçare paraprake.
Nga kjo rritje, ekonomitë në zhvillim dhe ato në zhvillim të shpejtë, pa përfshirë Kinën, pritet të kontribuojnë me rreth 1.100 GW, afërsisht sa vendet e zhvilluara. Kina, ndërkohë, do të mbetet kontribuuesja më e madhe individuale, me rreth 2.550 GW kapacitete të reja.
Sipas IEA-së, ndryshimi pasqyron zgjerimin e tregjeve të energjisë së ripërtëritshme në rajone që deri më tani kanë pasur ritëm më të ngadaltë të investimeve. Azia Juglindore, Afrika dhe Lindja e Mesme pritet ta trefishojnë ritmin e shtimit të kapaciteteve të reja, kryesisht përmes instalimeve të energjisë diellore.
Kina do të ruajë pozitën dominuese, por pjesëmarrja e saj në zgjerimin global pritet të bjerë nga mbi 60 për qind në vitin 2025 në rreth 53 për qind deri në vitin 2031. Ndërkohë, India po konsolidohet si tregu i dytë më i madh për zhvillimin e kapaciteteve të reja, me kontributin e saj në rritjen globale që pritet të arrijë në afro 8,5 për qind deri në fund të periudhës së parashikimit.
Energjia diellore udhëheq zgjerimin global
Energjia diellore fotovoltaike do të jetë teknologjia kryesore e zgjerimit të sektorit. IEA vlerëson se ajo do të përbëjë më shumë se tri të katërtat e kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtëritshme deri në vitin 2031.
Zgjerimi i energjisë diellore mbështetet në uljen e kostove të prodhimit, konkurrueshmërinë në raport me burimet tradicionale dhe mundësinë e instalimit relativisht të shpejtë. Krahas parqeve të mëdha fotovoltaike, rritje të konsiderueshme pritet të shënojnë edhe sistemet solare në çatitë e ndërtesave, bizneset dhe instalimet jashtë rrjeteve elektrike.
Agjencia thekson se vetëm sistemet e vogla diellore kanë ndihmuar në përmirësimin e furnizimit me energji për rreth 70 milionë familje në mbarë botën që nga viti 2022.
Rrjetet elektrike mbeten pengesë për projektet e reja
Pavarësisht perspektivës pozitive për zgjerimin e kapaciteteve, IEA paralajmëron se infrastruktura e rrjeteve elektrike po bëhet një nga kufizimet kryesore për zhvillimin e mëtejshëm të energjisë së ripërtëritshme.
Sipas raportit, projektet e energjisë së ripërtëritshme dhe baterive në faza të avancuara, që presin lidhjen me rrjetet elektrike, janë rritur me 60 për qind gjatë vitit të fundit, duke arritur në rreth 3.000 GW. Kjo është katër herë më shumë se kapaciteti i energjisë së erës dhe asaj diellore që u lidh me rrjetet elektrike gjatë vitit të kaluar.
IEA vlerëson se vonesat në investimet për transmetimin dhe shpërndarjen e energjisë, si dhe procedurat e gjata të kyçjes, rrezikojnë të ngadalësojnë realizimin e projekteve të reja.
Kjo sfidë është veçanërisht e rëndësishme për ekonomitë e zhvilluara. Në Evropë, shtimi vjetor i kapaciteteve të reja deri në vitin 2031 parashikohet të mbetet afërsisht në nivelin e vitit 2025, kryesisht për shkak të kufizimeve të rrjeteve dhe vështirësive në integrimin e prodhimit të ri.
Agjencia thekson se zgjerimi i infrastrukturës elektrike, përshpejtimi i procedurave të kyçjes dhe investimet në sistemet e ruajtjes së energjisë do të jenë vendimtare për të shfrytëzuar potencialin e kapaciteteve të reja.
Energjia e ripërtëritshme edhe në transport
Raporti parashikon gjithashtu rritje të përdorimit të energjisë së ripërtëritshme në sektorin e transportit. Deri në vitin 2031, këto burime pritet të mbulojnë rreth 6 për qind të kërkesës globale për energji në këtë sektor.
IEA ka rritur me 40 për qind parashikimin për përdorimin e biokarburanteve krahasuar me raportin e mëparshëm, duke marrë parasysh kërkesat më të larta për përzierjen e tyre me benzinën dhe naftën.
Rritja e çmimeve dhe pasiguria në furnizimin me lëndë djegëse fosile po ndikojnë në politikat energjetike të vendeve të ndryshme, duke e bërë diversifikimin e burimeve një çështje gjithnjë e më të rëndësishme për sigurinë energjetike.
IEA vlerëson se ritmi i zgjerimit të energjisë së ripërtëritshme do të varet jo vetëm nga konkurrueshmëria e teknologjive, por edhe nga aftësia e vendeve për të zhvilluar rrjetet, sistemet e ruajtjes dhe mekanizmat rregullatorë që mundësojnë integrimin e kapaciteteve të reja.



