Tringë Shkodra dhe Albana Berisha nga rrjeti “Gratë në Energji dhe Miniera” morën pjesë në edicionin e katërt të Energy Union Future Leaders Academy, të organizuar nga Greek Energy Forum në Nikozia të Qipros.
Akademia mblodhi profesionistë të rinj dhe shkencëtarë nga 10 shtete, me fokus në zhvillimet dhe sfidat që po formësojnë sektorin evropian të energjisë.
Sipas rrjetit “Gratë në Energji dhe Miniera”, Shkodra dhe Berisha morën pjesë në ligjërata, debate dhe shkëmbime me ekspertë të energjisë, ku u trajtuan tema që lidhen me sigurinë energjetike, tranzicionin energjetik dhe sfidat që po ndikojnë në zhvillimin e sektorit evropian, përcjell Energy Monitor.
Pjesëmarrësit patën mundësi të shkëmbejnë përvoja dhe perspektiva me profesionistë dhe studiues të rinj nga vende të ndryshme, si dhe të njihen me zhvillimet kryesore që po formësojnë të ardhmen e energjisë në Evropë.
Pjesëmarrja e Shkodrës dhe Berishës në akademi vjen në kuadër të angazhimit të rrjetit “Gratë në Energji dhe Miniera” për zhvillimin profesional, mentorimin dhe krijimin e mundësive të reja për gratë në sektorin e energjisë dhe minierave.



