Home / Lajme / Kosova / Gjashtë vjet nga nisja e hetimeve ndaj KEDS-it dhe KESCO-s për abuzim me pozitën dominuese, AKRK ende pa vendim

Gjashtë vjet nga nisja e hetimeve ndaj KEDS-it dhe KESCO-s për abuzim me pozitën dominuese, AKRK ende pa vendim

Gati gjashtë vjet pas nisjes së hetimeve ndaj KEDS-it dhe KESCO-s për dyshime për abuzim me pozitën dominuese dhe arritje të marrëveshjeve të ndaluara apo praktikave të bashkërenduara në tregun e energjisë elektrike, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKRK) thotë se rasti ende është duke u trajtuar.

Procedura hetimore ndaj këtyre dy ndërmarrjeve ishte nisur që në dhjetor të vitit 2020, pas shqyrtimit paraprak të situatës në tregun e energjisë elektrike në Kosovë.

Në kuadër të këtyre dyshimeve, hetimi ndaj KEDS-it përfshinte, ndër të tjera, krijimin e pengesave për hyrjen në treg të Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë (BRE), si dhe kërkesat që investimet në trafo-stacione dhe pronat ku ato vendoseshin t’i barteshin në pronësi të KEDS-it.

Objekt i shqyrtimit ishin edhe kufizimet lidhur me pajisjet dhe produktet e përdorura për kyçje në sistemin e shpërndarjes, përfshirë kërkesat që pajisjet e instaluara të ishin të markave të pranueshme për KEDS-in dhe të plotësonin testet teknike të përcaktuara nga procedurat e tij të brendshme.

Hetimi përfshinte edhe dyshime për vendosje të çmimeve ose kushteve të padrejta tregtare, aplikim të kushteve të ndryshme për transaksione të njëjta me ndërmarrje të tjera, si dhe veprime që mund të pengonin hyrjen ose nxjerrjen nga tregu të konkurrentëve të caktuar.

Ndërsa sa i përket raportit mes KEDS-it dhe KESCO-s, në fokus të hetimeve ishin dyshimet për praktikë të bashkërenduar, ndër të tjera për shkak të përdorimit të të njëjtit objekt dhe ekspertëve, mbajtjes së kontabilitetit nga e njëjta zyrë dhe shkëmbimit të informacioneve mes dy ndërmarrjeve, praktikë kjo e cila është në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Në atë kohë, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKRK) kishte kërkuar nga KEDS dhe KESCO një sërë dokumentesh për procedurën hetimore në fjalë, duke u dhënë atyre afat prej 30 ditësh për dorëzimin e materialeve të kërkuara. Megjithatë, gati gjashtë vjet pas nisjes së procedurës, rasti ende nuk ka përfunduar me një vendim publik.

Buletini Ekonomik e ka pyetur AKRK-në se çfarë ka ndodhur me këtë hetim gjatë këtyre viteve, cilat janë gjetjet e deritanishme dhe nëse pritet që procedura të përfundojë së shpejti.

Nga Autoriteti kanë thënë se rasti “është duke u trajtuar”, por nuk kanë dhënë detaje të tjera lidhur me zhvillimet e hetimit.

“Autoriteti i Konkurrencës së Republikës së Kosovës është duke e trajtuar rastin në fjalë, në përputhje me kompetencat dhe procedurat e përcaktuara me legjislacionin në fuqi”, thuhet në përgjigjen e Autoritetit.

AKRK nuk ka dhënë detaje se çfarë ka gjetur gjatë këtyre viteve, as nëse dyshimet fillestare janë konfirmuar, as nëse janë rrëzuar apo nëse hetimi ka marrë ndonjë drejtim tjetër.

Autoriteti thotë vetëm se gjatë fazës së procedurës hetimore nuk shpalos informacione lidhur me përmbajtjen, gjetjet apo zhvillimet e rastit, me arsyetimin e ruajtjes së integritetit dhe konfidencialitetit të procedurës.

Sipas AKRK-së, vetëm pas përfundimit të procedurës dhe marrjes së vendimit nga Komisioni i Autoritetit, opinioni publik dhe palët e interesuara do të njoftohen, në përputhje me legjislacionin dhe rregullat për publikimin e vendimeve.

Kështu, rreth gjashtë vjet pas nisjes së një procedure që në vitin 2020 përfshinte dyshime për abuzim me pozitën dominuese dhe praktika të bashkërenduara në një prej sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë, ende nuk ka një vendim publik mbi përfundimin e saj, ndërkohë që KEDS-i dhe KESCO-ja vazhdojnë të jenë pjesë qendrore e tregut të energjisë elektrike në Kosovë.

/Buletini Ekonomik

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com