Home / Lajme / Kosova / 15 milionë euro për faturat e energjisë, Hoti: Së shpejti përcaktohen kriteret për përfituesit

15 milionë euro për faturat e energjisë, Hoti: Së shpejti përcaktohen kriteret për përfituesit

Ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka bërë të ditur se 15 milionë euro do të ndahen për mbështetjen e familjeve për faturat e energjisë elektrike, në kuadër të Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm për vitet 2026–2027.

Hoti ka njoftuar se në ditët në vijim do të nënshkruajë vendimin për përcaktimin e kushteve dhe kritereve për përfitim, pas së cilës pritet të hapet thirrja për aplikime.

Programi për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike 2026–2027 u miratua nga Qeveria në mbledhjen e 6 tetorit.

Në një postim të tij, Hoti tha se mbështetja prej 15 milionë eurosh do të shkojë drejtpërdrejt për subvencionimin e faturave të energjisë së familjeve që kanë më së shumti nevojë për mbështetje.

Ai theksoi se Kosova ka edhe obligime në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, përfshirë zhvillimin e mekanizmave për identifikimin dhe mbështetjen e konsumatorëve të cenueshëm dhe krijimin e një regjistri funksional të tyre, përcjell Energy monitor.

Kriteret e reja për programin 2026–2027 ende nuk janë bërë publike. Vendimi që pritet të nënshkruhet nga Hoti do t’i përcaktojë kushtet e përfitimit dhe do t’i hapë rrugë thirrjes për aplikime.

Në programin e mëparshëm, kriteret përfshinin të ardhura mesatare mujore deri në 150 euro për anëtar të familjes dhe pasuri të paluajtshme me vlerë deri në 100 mijë euro. Këto ishin kriteret e skemës së mëparshme dhe nuk mund të konsiderohen automatikisht si kriteret e programit të ri.

Hoti e ka përmbledhur njoftimin me mesazhin se 15 milionë euro do të jenë mbështetje e drejtpërdrejtë për faturat e energjisë së familjeve përfituese.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com