Home / Highlights / Nisin procedurat për ankandin e ri të energjisë me erë, deri në 200 MW

Nisin procedurat për ankandin e ri të energjisë me erë, deri në 200 MW

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar nisjen e procedurave për hapjen e një ankandi të ri deri në 200 megavatë (MW) kapacitete të reja të energjisë nga era, në bashkëpunim me Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC).

Ministria e Ekonomisë dhe Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) kanë zgjeruar marrëveshjen e bashkëpunimit për përgatitjen dhe zbatimin e ankandeve të ardhshme për energjinë nga era në Kosovë. Përmes një shtese të marrëveshjes ekzistuese, IFC do të vazhdojë të ofrojë asistencë teknike dhe këshillimore për zhvillimin e këtyre procedurave.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Ekonomisë, synimi është zhvillimi i deri në 300 megavatë (MW) kapacitete të energjisë nga era. Kjo përfshin ankandin e parë, me kapacitet prej 50 deri në 100 MW, si dhe ankandet e ardhshme, përmes të cilave synohet shtimi i deri në 200 MW kapacitete të tjera.

“Pra, në total, së bashku po synojmë të zhvillojmë deri në 300 MW kapacitete të energjisë nga era, të cilat janë shumë të rëndësishme për sigurinë energjetike të Kosovës, si dhe për sigurimin e energjisë më të pastër dhe më të qëndrueshme”, tha Rizvanolli sot në një video të publikuar në Facebook.

Zgjerimi i bashkëpunimit me IFC-në synon të mbështesë përgatitjen e ankandeve të ardhshme dhe krijimin e një tregu konkurrues e transparent, që mund të tërheqë investime të reja në energjinë e ripërtëritshme.

Sipas Ministrisë, zhvillimi i këtyre kapaciteteve pritet të kontribuojë në diversifikimin e burimeve të energjisë, forcimin e sigurisë energjetike dhe rritjen e prodhimit vendor të energjisë së pastër.

Ndërkohë, përfaqësuesi i IFC-së në Kosovë e ka cilësuar projektin si të rëndësishëm si për vendin, ashtu edhe për institucionin që përfaqëson.

Ai ka deklaruar se projekti për 300 MW kapacitete të reja të instaluara të energjisë së gjelbër pritet të tërheqë deri në 500 milionë euro, apo gjysmë miliardi investime të reja në Kosovë.

Sipas përfaqësuesit të IFC-së, ky është një nga projektet më të mëdha në sektorin e energjisë dhe në fushën e infrastrukturës në Kosovë gjatë viteve të fundit.

Ankandi i parë i erës është zhvilluar me IFC-në në rolin e këshilltares së transaksionit, me mbështetjen e Qeverisë së Gjermanisë dhe Qeverisë së Luksemburgut përmes LuxDev. Përvoja nga ky proces pritet të shërbejë edhe për zhvillimin e ankandeve të ardhshme.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com