Korporata për Ruajtjen e Energjisë së Kosovës (ESCorp) është regjistruar zyrtarisht në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), duke shënuar një hap të ri drejt funksionalizimit të ndërmarrjes që do të menaxhojë një pjesë të sistemeve të planifikuara të ruajtjes së energjisë me bateri në Kosovë.
Lajmi u bë i ditur nga Millennium Challenge Account – Kosova (MCA-Kosovo), e cila është përgjegjëse për zbatimin e programeve të Kompaktit të Kosovës, të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) e Shteteve të Bashkuara dhe nga Qeveria e Kosovës, përcjell Energy Monitor.
ESCorp do të jetë përgjegjëse për menaxhimin afatgjatë të sistemeve të baterive me kapacitet prej 125 megavatësh (MW) dhe kapacitet ruajtës prej 250 megavat-orësh (MWh).
Dy sisteme baterish me kapacitet të përgjithshëm prej 340 MWh
Kapaciteti që do të menaxhojë ESCorp është pjesë e projektit më të gjerë të MCC-së për ndërtimin e sistemeve të ruajtjes së energjisë me bateri, me fuqi të kombinuar prej 170 MW dhe kapacitet ruajtës prej 340 MWh.
Pjesa tjetër, me kapacitet prej 45 MW dhe 90 MWh, është planifikuar për Sojevë të Ferizajt dhe do të jetë në pronësi dhe operim të KOSTT-it. Sistemi prej 125 MW/250 MWh është planifikuar për Istogun dhe do të menaxhohet nga ESCorp.
Sistemet e baterive synojnë të rrisin fleksibilitetin e sistemit elektroenergjetik, duke mundësuar ofrimin e shërbimeve të balancimit dhe rezervave të nevojshme për funksionimin e rrjetit, si dhe duke lehtësuar integrimin e kapaciteteve të reja nga burimet e ripërtëritshme.
Hapat e ardhshëm
Pas regjistrimit në ARBK, sipas MCA-Kosovo, hapat e radhës përfshijnë mbledhjen inauguruese të ESCorp, fillimin e zbatimit të projektit të baterive dhe përgatitjet për operimin dhe menaxhimin afatgjatë të tyre.
Projekti është pjesë e Kompaktit të Kosovës, program me vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, që synon të kontribuojë në sigurinë energjetike dhe zhvillimin e sektorit të energjisë në vend.



